Celebrities Showbiz

Bad Bunny bën histori në Super Bowl! Një shfaqje në spanjisht duke dhënë një mesazh të rëndësishëm?!

Performanca e Bad Bunny gjatë pushimit të Super Bowl u shndërrua në një homazh të fuqishëm për vendlindjen e tij, Porto Rikon, duke kombinuar muzikën, identitetin kulturor dhe një mesazh të fortë uniteti.

Seti 14-minutësh u konceptua si një “letër dashurie” për rrënjët latine, me një skenografi që ngjante me një shtëpi tradicionale portorikane dhe elemente ikonike nga jeta e përditshme në ishull.

Në skenë u shfaqën edhe të ftuar specialë si Lady Gaga dhe Ricky Martin, ndërsa figura të njohura si Pedro Pascal, Cardi B, Karol G dhe Jessica Alba u panë duke kërcyer në verandën e kazisë së famshme të këngëtarit, një simbol i shfaqjeve të tij artistike.

Ndryshe nga pritshmëritë për një deklaratë të drejtpërdrejtë politike kundër administratës amerikane, Bad Bunny zgjodhi të përcjellë një mesazh bashkimi. Përmes një udhëtimi vizual në një peizazh latin, nga sallone bukurie te bare tipike, ai interpretoi disa nga hitet e tij më të njohura si “Tití Me Preguntó”, “MONACO” dhe “BAILE INoLIVIDABLE”.

31-vjeçari hyri në histori si artisti i parë që realizoi një shfaqje të pushimit të Super Bowl tërësisht në gjuhën spanjolle. Megjithatë, ai përfshiu edhe një varg në anglisht, “God bless America”, përpara se të rendiste vendet e Amerikës Qendrore, Jugore dhe Veriore, ndërsa valltarët mbanin flamujt përkatës.

Mesazhet vizuale ishin po aq të forta: një billboard me shkrimin “E vetmja gjë më e fuqishme se urrejtja është dashuria” dhe një top futbolli me mesazhin “Together, we are America”.

Performanca, megjithatë, shkaktoi reagime të ashpra nga presidenti Donald Trump, i cili e quajti atë “absolutisht të tmerrshme” dhe “një fyerje ndaj madhështisë së Amerikës”, përmes platformës së tij Truth Social.

Shfaqja në stadiumin Levi’s në Santa Clara shënoi gjithashtu rikthimin e Bad Bunny në SHBA pas publikimit të albumit të tij fitues të Grammy-t, “Debí Tirar Más Fotos”. Edhe veshja e tij u interpretua si simbolike: një pulovër ngjyrë bezhë me numrin 64, që sipas disa interpretimeve lidhet me numrin zyrtar të viktimave të raportuara pas uraganit shkatërrues në Porto Riko, shifër që u kritikua ashpër nga banorët si shumë më e ulët se realiteti.

Në këtë mënyrë, Bad Bunny jo vetëm që performoi, por ngriti zërin për identitetin, kujtesën dhe bashkimin, duke e kthyer Super Bowl-in në një moment historik dhe thellësisht simbolik.