Bad Bunny do të jetë një nga emrat që do të elektrizojë publikun në Super Bowl-in e këtij viti, duke iu bashkuar listës së gjatë të superyjeve botërorë që kanë performuar në spektaklin më të ndjekur sportiv në SHBA. Megjithatë, një pyetje që lind çdo vit është: a paguhen artistët për këtë performancë ikonike?
Historikisht, NFL nuk u paguan honorar artistëve që ngjiten në skenën e shfaqjes së pushimit të Super Bowl-it. Arsyeja është se performanca, e cila zgjat rreth 13 minuta, konsiderohet më shumë si një promovim gjigant sesa një koncert i zakonshëm, një ekspozim global në mes të një ndeshjeje futbolli amerikan që ndiqet nga qindra miliona shikues.
Një zëdhënës i NFL ka deklaruar më herët për Forbes se liga nuk ofron pagesë direkte për artistët, por mbulon të gjitha shpenzimet dhe kostot e produksionit të spektaklit.
Çdo vit, eventi shoqërohet edhe nga një sponsor i madh. Në të kaluarën këtë rol e ka pasur Pepsi, ndërsa vitet e fundit Apple Music ka marrë drejtimin.
Në bashkëpunim me NFL, sponsorët financojnë gjithçka që lidhet me produksionin, përfshirë skenën, ndriçimin, efektet vizuale dhe veshjet e artistëve.
Ende nuk dihet qartë nëse performuesit përfitojnë pagesa direkte nga sponsorët, por ajo që është e sigurt është përfitimi i madh indirekt.
Edhe pse Bad Bunny mund të mos marrë një çek të majmë nga NFL, performanca në Super Bowl zakonisht shoqërohet me një rritje të menjëhershme të dëgjimeve dhe transmetimeve muzikore në platformat digjitale.
Për artistët e nivelit të Benito-s, Super Bowl mbetet një vitrinë globale që shpesh përkthehet në miliona klikime, shitje dhe ndikim të jashtëzakonshëm në karrierë.