Balaj: T’i rrimë afër Vllaznisë, kështu ecim përpara!

Para ndeshjes me Flamurtarin, e fundit e këtij viti për Vllazninë, në konferencë shtypi kanë dalë ndihmëstrajneri Vioresin Sinani dhe kapiteni Bekim Balaj. Sulmuesi veteran pranoi momentin e vështirë dhe kritikoi ambientin e krijuar së fundi përreth Vllaznisë, duke u folur shumë për krizën e saj. Balaj u shpreh:

Jemi të vetëdijshëm që vijmë në këtë ndeshje jo në momentin tonë më të mirë. Realisht, kemi të nevojshme pikët. Si është gjendja, duhet të shohim ndeshjen e radhës që është me Flamurtarin në Shkodër dhe duhet të synojmë tri pikët. Për situatën që jemi, do të na ndihmonte goxha.

Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Po ta shohësh në bazë të kundërshtarëve, nuk mund t’i ndash. Në ndeshjet e fundit nuk kemi mundur të marrim trepikëshin ndaj kundërshtarëve, me të cilët deri diku në letër favorizoheshim. Duhet të lëmë pas ndeshjet që kanë kaluar e të fokusohemi te trepikëshi i radhës.

Penalltia me Tiranën? Duke parë momentin që ishte ndeshja, të vjen keq. Penalltitë i humbasin ata që i gjuajnë. Jam aty për të marrë përgjegjësi dhe ajo ishte goxha përgjegjësi. E humba e ndoshta nuk më vjen mirë, pasi do të na jepte një moral tjetër për ndeshjen. Vazhdojmë para, kështu është futbolli. Jemi aty për të marrë përgjegjësitë, nga unë i pari e te të gjithë.

Mundësia gjithmonë është për të kompensuar. Do të bëjmë më të mirën që të mbyllim këtë vit më tri pikë. Nuk është momenti më i mirë, një moment që nuk vjen rastësisht, duke ditur situatën që kemi kaluar. Kemi pasur dëmtime, gjë që ka sjellë performancat jo të duhura, jo ato që kërkojmë të gjithë nga skuadra. Mendoj që nuk është momenti për një analizë të detajuar, duhet të jemi optimistë të gjithë dhe në këto momente duhet të jemi pranë skuadrës.

Shkodra ka shumë tifozë që e duan Vllazninë dhe në këtë moment duhet të tregojnë që janë në mbështetje të skuadrës. Kur skuadra është në vështirësi, t’i gjenden pranë. I gjithë ambienti sportiv i Shkodrës mendoj, duke u nisur edhe nga gazetarët, kam parë një frymë deri diku jo të duhur. Shkodrës dhe Vllaznisë nuk i shkon për shtat, apo nuk e favorizon për momentin që është. Pa përjashtim të gjithë duhet të jenë aty, se Vllaznia ka nevojë që në vështirësi ta mbështesin.

Skuadra është imune, por fryma nuk është e duhura besoj. Fryma që është ndërtuar rreth skuadrës e reflekton edhe në shkallët e stadiumit atë. E reflekton edhe me mungesën e tifozëve në stadium. Vllaznia nuk shpallet dot kampion me 10 javë, 5 javë apo 15 javë.

Kampionati është i gjatë, duhen marrë ndeshjet një nga një. Me dy fitore prapë Vllaznia është aty ku duam të gjithë, prapë pretendente. Ngutemi të krijojmë situata, me kriza apo probleme të ndryshme, që në fund nuk i shërbejnë aspak skuadrës dhe interesave të Vllaznisë.

Jemi në kërkim të këtij trepikëshi, që do të na jepte frymë e besim. Besoj që skuadra deri diku po vjen në përmirësim e sipër, po vjen gjendja e lojtarëve që kanë pasur probleme e dëmtime. Nuk jemi këtu për të qarë hallet, por thjesht për të thënë si kapiten i skuadrës dhe si shkodran që ndjen përgjegjësinë që t’i rrimë afër Vllaznisë në momente të vështira, se vetëm kështu ecim para.