Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, paralajmëroi rishikim të Kodi Penal i Shqipërisë, pas aksidentit tragjik në Durrës, duke theksuar se ndëshkimet aktuale nuk janë të mjaftueshme për raste të tilla të rënda.
Ai theksoi se përgjigja institucionale duhet të jetë e menjëhershme, sapo të krijohen mundësitë për ndryshime ligjore, ndërsa i bëri thirrje Policisë së Shtetit për një analizë më të thelluar të rasteve të shkeljeve në qarkullim.
“Rishikim i Kodit Penal, është e rëndë për ne që të mjaftohemi me heqjen e pikëve në patentë. SHBA ka vendosur konceptim vrasje në kushtet e vetëbesimit të tepruar. Përgjigja jonë duhet të jetë e menjëhershme sapo të kemi mundësi të ndryshojmë Kodin. Policia të analizojë me shumë vëmendje rastet. Të fortët e lagjeve duhet të bëhen shembull dhe as të kenë fare patentë. Këta duhen bërë shembull nga policia në çdo komunitet”, tha ai.
Deputeti socialist Erion Braçe teksa foli në parlament për aksidentin e rëndë të dielën në Durrës, i përlotur tha se ky nuk ishte aksident por vrasje me dashje.
“Dy familje përcollën sot në lot fëmijët e tyre. Kush ka fëmijë e di fare mirë cdo të thotë të përcjellësh shpirtin tënd. Një e tretë në fillim ishte në betejë për jetën e tani në rehabilitim të një traume që nuk do të jetë e lehtë. E gjitha për shkak të një krimi, një vrasje dhe jo aksident apo shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor. Kjo është vrasje”, tha deputeti socialist duke shtuar se ka kërkuar ndryshimet në Kodin Penal dhe Rrugor, pasi ata e normalizojnë një krim të tillë.
LEXO EDHE: Eneo dhe Klersi përcillen për në banesën e fundit/ “Bisha” në polici: Nuk mbaj mend gjë!