Gjykata Kushtetuese sot vendos nëse do ta kalojë për shqyrtim ankimimin e qeverisë për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si zv.kryeministre dhe ministre nga GJKKO-ja. Vendimi duhej të ishte marrë ditë më parë, por shqyrtimi i kërkesës u shty për këtë të martë.
Shkak u bë largimi nga gjykata i Holta Zaçajt, e cila ishte pjesë e Kolegjit që në Dhomë Këshillimi do të merrej me çështjen dhe gjyqtarja që e zëvendësoi, Marsida Xhaferllari kërkoi kohë që të njihej me aktet.
Nëse sot Kolegji vendos kalimin e çështjes për shqyrtim, pritet që seanca plenare e Kushtetueses të shprehet fillimisht për shuarjen e efekteve të pezullimit, në pritje të një vendimi përfundimtar mbi çështjen.
Kryeministri Edi Rama nuk e shkarkoi nga detyra Ballukun pas pezullimit nga GJKKO-ja, por i hoqi të drejtën e firmës ndërsa iu drejtua Kushtetueses. Qeveria kërkon të zgjidhet mosmarrëveshja e kompetencave e krijuar mes saj e GJKKO-së, si dhe shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra.
Parashikimi kushtetues, sipas të cilit anëtari i qeverisë gëzon imunitetin e deputetit është pika kryesore mbi të cilën kryeministrit Edi Rama ka ndërtuar ankimin. Sipas ankimit, përsa kohë nuk mund të vendoset gjyqësisht pezullimi nga detyra i deputetit, kjo s’mund të ndodhë as për një ministër. Aty flitet për ndërhyrje të pastër në kompetencat e një tjetër pushteti, siç është ai ekzekutiv dhe se GJKKO-ja ka marrë atribute që nuk ia njeh Kushtetuta.
Edhe një ditë më parë, shefi i qeverisë reagoi në përgjigje të akuzave të Berishës se po ushtronte presion ndaj Kushtetueses. Rama tha se kjo është një betejë e rëndësishme që nuk lidhet me emrin e Ballukut, por një betejë institucionale, për të mbrojtur kufirin ndarës mes pushteteve.
Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv.kryeministren Balluku, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar të drejtën për të dalë jashtë vendit. E pandehur u mor për procedurat në tenderin e tunelit të Llogorasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe. Në të dy rastet, dyshohet se fituesi u paracaktua. SPAK-u bëri të ditur se po heton dhe një sërë procedurash të tjera prokurimi.
Ndërkaq, mësohet se Belinda Balluku ankimoi vendimin e GJKKO-së për masën e sigurisë “Pezullim nga detyra” dhe “Ndalim i daljes jashtë vendit”.