Rajoni

Balotazhi në Kosovë, LDK-ja fiton 5 komuna, LVV dhe AAK nga 4, PDK-ja 3!

Qytetarët e Kosovës në 18 komuna, dje votuan për të zgjedhur kryetarët përkatës. Në këtë raund, LDK-ja fitoi në 5, Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë në 4 e Partia Demokratike e Kosovës në 3. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja ishte mbi 32%.

Kandidati i LVV-së për Prishtinën, Hajrulla Çeku, i uroi fitoren në zgjedhjet lokale, Përparim Ramës nga LDK-ja.

E uroj z. Rama për fitoren dhe i uroj me zemër kryeqytetit tonë, Prishtinës, që përnjëmend të dalë nga kaosi në të cilin është futur. Unë do të vazhdoj të jem në shërbim të Prishtinës, me të njëjtin përkushtim dhe dashuri, për këtë qytet që të gjithë e quajmë shtëpi, shkroi Çeku në Facebook.

Ai falënderoi çdo qytetar që e votoi në dy raundet zgjedhore. Çeku, i cili sipas rezultateve paraprake siguroi 48.46% të votave, tha se “LVV-ja do të jetë opozitë në Kuvendin komunal të Prishtinës”.

Do të përcjellim secilin hap që qeverisja komunale do të ndërmarrë, duke u siguruar që interesi i qytetarëve dhe i qytetit të mbrohet deri në fund.

Rezultatet përfundimtare do të shpallen pasi të numërohen votat e diasporës, të personave me nevoja të veçanta dhe ato me kusht. Sa u përket votave nga diaspora, pritet që nga java të jenë në Kosovë dhe një javë më pas të përmbyllet numërimi i të gjitha votave.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, tha se në bazë të rezultateve që kanë marr nga komisionerët, partia e tij ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Fushë Kosovë, Obiliq e Gjilan në balotazh.

Në total, në këto zgjedhje lokale, LVV ka fituar në 7 komuna. Ky është një sukses i LVV-së. Natyrisht që kemi synuar më shumë se kaq.

Më tej, Albin Kurti vuri në dukje se partitë e tjera u bashkuan kundër LVV-së në raundin e balotazhit, ndaj theksoi se ky rezultat “është një sukses i LVV-së”.