Aktualitet Politikë

Kuvendi në seancë plenare, opozita vijon bojkotin!

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në orën 10:00 në seancë plenare të gjatë, me një rend dite prej 24 pikash, mes tyre shqyrtimi i disa projektligjeve të rëndësishme dhe ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

Pikë e debatueshme e seancës pritej të ishte interpelanca e kërkuar nga deputetja demokrate, Jorida Tabaku me ministrin e Financave, Petrit Malaj, por opozita vijon bojkotin deri në plotësimin e kërkesave të protestuesve.

Deputetët duhet të shqyrtojnë projektligje që lidhen me sektorin e bujqësisë, përfshirë dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore, censin e bujqësisë, mbrojtjen e tokës bujqësore dhe akuakulturën, si edhe ndryshime në ligjin për menaxhimin e kimikateve dhe atë për librin.

Në rendin e ditës është përfshirë edhe ratifikimi i marrëveshjes së huas me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e lidhjes hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Po ashtu, pritet të votojnë Marrëveshjen e Bashkëpunimit Teknik mes Shqipërisë e Gjermanisë, si dhe Konventën për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil.

Seanca do të vijojë me shqyrtimin e një sërë projektrezolutash për veprimtarinë gjatë vitit 2025 të institucioneve si KQZ, Banka e Shqipërisë, RTSH, AMA, AKEP, AMF, ERE dhe Enti Rregullator i Ujit, ndërsa në fund, diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

Seancën e kaluar, projektrezolutat u shqyrtuan dhe tani ka mbetur votimi i tyre.

Kuvendi është rrethuar nga një kordon sigurie e janë vendosur barriera metalike e forca policie. Këto masa vijojnë që prej 2 korrikut kur para parlamentit u mblodhën protestuesit duke qëlluar deputetët me vezë dhe penguar daljen e tyre.

Në kushtet e bojkotit të opozitës, vetëm me votat e Partisë Socialiste, Konferenca e Kryetarëve kaloi në seancë shtyrjen e Reformës Zgjedhore, deri në nëntor.

E nënshkruar nga të dy bashkëkryetarët, socialisti Damian Gjiknuri dhe demokrati Oerd Bylykbashi, kërkesa argumenton se shtyrja e afatit të punës së komisionit ka për qëllim t’u japë palëve politike më shumë mundësi për të dakordësuar zgjidhje politike, që t’i paraprijnë procesit të hartimit teknik të dispozitave të Kodit Zgjedhor.