Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shkuar sot në Krujë për organizimin e protestës së 16 shkurtit në Tiranë. Kryedemokrati Lulzim Basha ka shkuar derë më derë e ka bashkëbiseduar edhe me banorët e Fushë-Krujës. Duke i prezantuar planin ekonomik të PD-së i pari i demokratëve premtoi vende të reja pune, çlirim të ekonomisë dhe zhdukje të krimit. Basha shtoi se për situatën e krijuar përgjegjëse është qeveria e Ramës. “Bashkëbisedova me disa qytetarë dhe pronarë dyqanesh këtu në Krujë. Gjendja shumë e rëndë. Nuk pashë një turist të trokasë në dyqanet e tyre. Klima është shumë e keqe. Ky është vendi për të dhënë një mesazh. 500 vjet më parë një vend i vogël i qëndroi fuqisë më të madhe ushtarake në botë. Pse? Sepse ishin të bashkuar, sot ka ardhur koha të çohemi sepse ne kemi kauzën e drejtë. Ne do ta kthejmë Shqipërinë në binarët europianë. Ka ardhur koha të merrni në dorë fatin tuaj. Kjo është thirrja, kjo është ftesa”, tha Basha nga Kruja.