Kryetari i Partisë Demokratike paralajmëroi kompaninë që pritet të ndërtojë Teatrin e Ri se do ta bëjë subjekt të Ligjit Antimafia: “Ne kemi paralajmëruar arkitektin Bjorke Ingels se do të shpallet “non grata” në Shqipëri, dhe sot dua t’i çoj një paralajmërim të qartë kompanisë Fusha shpk. Ju them se nuk do të gëzojnë asnjë qindarkë që do të përfitojnë nga kjo aferë, sepse do t’i nënshtrohen një ligji të posaçëm antimafia dhe do t’u sekuestrohet çdo e ardhur nga kjo veprimtari dhe veprimtari të tjera kriminale të tyre”, deklaroi Basha.. Para gazetarëve, Lulzim Basha theksoi se do t’i sekuestrohet çdo pasuri në rast se vërtetohet shkelja. Basha tha se do të ketë edhe aksion popullor. Një koment kryedemokrati e pati edhe për aleancat e mundshme me qeverinë :“Nuk e kuptoj se si mund të bëhet një ligj special për një individ të vetëm, apo për një kompani të vetme. Ligjet janë për të gjithë të njëjtë dhe ne nuk mund të votojmë në mënyrë antikushtetuese një ligj të posaçëm, për të favorizuar lakejtë e Edi Ramës, që synojnë të pastrojnë paratë e drogës. Plani i Ramës për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar ka nisur që para 20 vitesh, kur ai ishte ministër i Kulturës dhe tani po bën gjithçka për të realizuar këtë plan ogurzi të tij”, tha kreu i Partisë Demokratike.