I ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë artisti i njohur Big Basta. Ai ka publikuar së fundmi bashkëpunimin e tij më të ri me Lyrical Son dhe Mc Kresha, “Ti m’ke braktis”, që këtë javë është një nga hyrjet më të reja në “The Top List”. Një këngë kjo e bazuar nga ajo e Rudolf Stambollës, “Kur gjethet bien në vjeshtë”, që publiku e priti mjaft mirë. Por si lindi e gjithë kjo ide?
Si erdhi bashkëpunimi me Lyrical Son dhe Mc Kresha?
Nga miqësia e vjetër që kemi. Kemi qenë në biseda vazhdimisht për të realizuar këngë. Në fillim u mendua të kisha një këngë me Lyrical Son dhe një me Mc Kresha. Por ndodhi kimia, kush më mirë mund ta bënte refrenin se Lyrical Son dhe Kresha pastaj që vjen me tre role të ndryshme. Që me dëgjimin e parë Kresha e pëlqeu dhe m’u bë qejfi që dhe Lyrical gjeti veten tek pjesa e tij dhe ndodhi ajo që ndodhi. Nuk lindi nga hiçi, kishim kohë që e flisnim.