Katër persona ranë në prangat e bluve në Tiranë, si të përfshirë në organizimin e lojërave të fatit të paligjshme. Të arrestuarit janë të moshave 19, 34, 43 e 47 vjeç. Ata u kapën gjatë operacionit policor të koduar “Bad spin 3”. Aparate celulare të këtyre shtetasve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan prokurorisë.
Njoftimi zyrtar policor lidhur me operacionin:
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, Forcën e Posaçme Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor i koduar “Bad spin 3”.
Gjatë këtij operacioni, bazuar në inteligjencën policore, janë identifikuar subjekte dhe shtetas që kryejnë aktivitetin e paligjshëm të organizimit dhe përshtatjes së ambjenteve për organizimin e lotarive të palejuara (baste sportive online), në zona të ndryshme të Tiranës.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto subjekte, është bërë kapja dhe arrestimi në flagrancë i 4 shtetasve të implikuar në këtë veprimtari kriminale:
E.A., 43 vjeç, E.T., 34 vjeç, K.B., 47 vjeç dhe Xh.Ç., 19 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Aparate celulare të këtyre shtetasve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan prokurorisë.
Të tilla operacione policore janë shpeshtuar kohët e fundit në kryeqytet.