Operacioni i koduar “Bad spin 2”, gjashtë persona ranë në prangat e policisë së Tiranës, të akuzuar se organizonin lojëra fati e baste sportive të paligjshme. Po ashtu, uniformat blu njoftojnë se në gjendje të lirë u procedua edhe një 18-vjeçar pasi gjatë kontrollit të ushtruar në një bar-kafe që administronte, u gjetën 50 televizorë në kuti të pahapura, të markave të ndryshme e të dyshuar të kontrabanduar. Këta televizorë, së bashku me gjashtë aparate celularë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet në ngarkim i kaluan prokurorisë Tiranë.
Njoftimi policor:
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, Forcën e Posaçme Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor i koduar “Bad spin 2”.
Gjatë këtij operacioni, bazuar në inteligjencën policore, janë identifikuar subjekte si dhe shtetas, që kryejnë aktivitetin e paligjshëm të organizimit dhe përshtatjes së ambjenteve për organizimin e lotarive të palejuara (baste sportive online), në zona të ndryshme të Tiranës.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto subjekte, është bërë kapja dhe arrestimi në flagrancë i 6 shtetasve të implikuar në këtë veprimtari kriminale:
E.Ç., 56 vjeç, J.Ç., 47 vjeç, V.H., 46 vjeç, E.F., 22 vjeç, D.R., 19 vjeç, M.M., 21 vjeç.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi R.T., 18 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në një bar-kafe në administrim prej tij, janë gjetur 50 televizorë në kuti të pahapura, të markave të ndryshme, të dyshuar të kontrabanduar.
Televizorët së bashku me 6 aparate celulare u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet në ngarkim i kaluan prokurorisë.