Rajoni

BE-ja: Serbia po shkel Marrëveshjen me Kosovën me sjelljen në KiE!

Bashkimi Europian akuzon Serbinë se me sjelljen e saj në Këshillin e Europës është duke e shkelur Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023, në të cilën, ndër të tjera, Beogradit i kërkohet të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Kosova hasi edhe në një pengesë tjetër gjatë kësaj jave në Këshillin e Europës (KiE), pasi kërkesa e saj për të qenë e ftuar speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, u hoq nga rendi i ditës më 5 mars. Përmes delegacionit të saj në këtë Komitet, si edhe kryetares së Kuvendit, Ana Bërnabiç, Serbia u krenua për këtë arritje, duke e quajtur “fitore të madhe të Serbisë, në mbrojtjen e interesave kombëtare”.

I pyetur për këtë, një zëdhënës i BE-së tha se qartazi, Serbia po shkel detyrimet nga Marrëveshja e Ohrit, e arritur mes saj dhe Kosovës më 2023-shin.

Sjellja e Serbisë në Këshillin e Europës është një shkelje e qartë e detyrimeve nga Marrëveshja e Ohrit. Ky detyrim përmendet në Nenin 4 të marrëveshjes, ku flitet për moskundërshtimin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

Në disa raste, në të kaluarën, Beogradi ka lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndonëse marrëveshja e arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, thotë qartazi se “nuk mund ta bëjë diçka të tillë”. Akordi nuk është nënshkruar, por BE-ja ngul këmbë se është ligjërisht i detyrueshëm për palët e duhet të zbatohet në tërësi.

Kosova dështoi të anëtarësohet në Këshillin e Europës në fillim të vitit 2024, për shkak se u kushtëzua me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Edhe Asociacioni është detyrim për Kosovën nga kjo marrëveshje. Vitin e kaluar, Serbia kishte formuar grup punues për koordinimin e aktiviteteve të autoriteteve shtetërore kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Europës.

Këshilli i Europës është organizatë lidere në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Anëtarësimi i mundshëm do ta ndihmonte Kosovën edhe në fushën e sundimit të ligjit e luftën ndaj korrupsionit.