Zv.kryeministrja Belinda Balluku, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, sot në orën 15:00 është thirrur në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Sipas raportimeve, numrit dy të qeverisë i është kërkuar të paraqitet e shoqëruar nga avokati ndërsa institucioni, ende nuk ka dhënë detaje zyrtare mbi arsyet e thirrjes.
Burimet thonë se numri dy i qeverisë shqiptare është thirrur nga SPAK si person nën hetim për tenderat që lidhen me tunelin e ri të ndërtuar në Llogora.
Gjatë raportimit të fundit në Kuvend, kreu i SPAK-ut Altin Dumani konfirmoi se zv.kryeministrja është nën hetim. I pyetur nga opozita nëse prokurori Dritan Prençi, i cili firmosi fletë-thirrjen në SPAK për Ballukun kishte marrë presione nga politika për këtë çështje, Dumani tha:
Nuk më ka paraqitur shqetësim për kërcënime, për shkak të funksionit.
Dumani shtoi se Prençi dhe të gjithë prokurorët e tjerë kanë pasur mbështetjen e tij si kryetar i SPAK-ut për hetimin e çdo çështjeje. Partia Demokratike ka depozituar në SPAK katër kallëzime ndaj Ballukut, që lidhen me çështjet e tunelit të Llogarasë, shit-blerjes së energjisë elektrike, paneleve fotovoltaike dhe dy anijeve TEC për prodhimin e energjisë.