Ish-kryeministri Sali Berisha, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka njoftuar se i ka kërkuar Parlamentit që t’i heqë nga llogaria e tij bankare dietat e derdhura për muajin shkurt.
Berisha sqaron se i refuzon këto dieta dhe nuk do të pranojë asnjë dietë deri në fund të mandatit, pasi është deputet i Tiranës dhe lëvizjet jashtë qarkut do t’i përballojë me të ardhurat e veta.
“Sot nga mediat mësova se në llogarinë time bankare, Parlamenti ka derdhur për muajin shkurt dieta për mua, si dhe për 93 deputetë të tjerë, shumën prej 75 250 lekë. Lidhur me sa më sipër, deklaroj sa vijon:
1-Unë nuk kam pasur asnjë dijeni për këto dieta.
2- I kërkoj Parlamentit t’i tërheqi ato nga llogaria ime bankare ku i ka derdhur.
3-Unë jam deputet i Qarkut të Tiranës dhe si i tillë nuk do të pranoj asnjë dietë deri në fund të mandatit.
Lëvizjet e mia jashtë Qarkut të Tiranës do t’i përballoj me të ardhurat e mia”, shkruan Berisha në rrjetin social.
Theksojmë se ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjarëve të tij nuk do t’i lejohet pajisja me vizë për në Shtetet e Bashkuara, për shkak se ata janë përcaktuar nga DASH si persona që u ndalohet hyrja në vend.
Lajmi u konfirmua nga Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili përmes një postimi në Twitter tha se ky vendim u mor nga Uashingtoni zyrtar “për akte korruptive që cenojnë demokracinë në Shqipëri”.
“Sot po lajmëroj përcaktimin publik të Sali Berishës, një ish-presidenti, ish-kryeministri dhe ish-deputeti në Shqipëri, për shkak të përfshirjes së tij të konsiderueshme në korrupsion. Në kapacitetin e tij zyrtar si kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha u përfshi në akte korruptive, si keqpërdorimi i fondeve publike dhe ndërhyrja me proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitime vetjake dhe pasurimin e aleatëve të tij politik dhe të anëtarëve të familjes në shpërdorim të besimit të publikut shqiptar ndaj institucioneve qeveritare dhe zyrtarëve publikë,” thuhet në deklaratën e DASH.