Politikë

Berisha për protestën e sotme: Do jetë kryengritja paqësore më e fuqishme!

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka dalë në një konferencë për mediat këtë të premte, më 17 prill, disa orë para nisjes së protestës që opozita zhvillon para Kryeministrisë, ku u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë.

Ai e cilësoi protestën e sotme si “kryengritjen paqësore më të fuqishme” që ka njohur vendi.

“Sot, në ora 19:00, qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë ngrihen në kryengritjen e tyre paqësore më të fuqishme që ka njohur Shqipëria. Ngrihen mbi dhunën, terrorin e regjimit, e klaneve të drogës, e policisë politike të patronazhistëve, kërcënimeve të tyre. Ngrihen për të mbrojtur interesat më jetike të vetat, të qytetarëve shqiptarë. Ngrihen për të mbrojtur dinjitetin, nderin e çdo shqiptari ndaj një agresioni të rëndë të një organizate kriminale të kryesuar nga Edi Rama, që më së fundi, duke hequr çdo maskë, përdori 83 mandatet e krimit për të mbrojtur vjedhjet e tij të pallogaritshme, dhe të Lubi Ballukut”, tha Berisha.

Mes të tjerash, lideri demokrat e akuzoi kryeministrin Edi Rama për veprime që, sipas tij, dëmtojnë demokracinë dhe interesat e qytetarëve, duke përmendur edhe çështje që lidhen me vendimmarrje të fundit të qeverisë dhe Kuvendit.

“Akti i fundit i Edi Ramës është akti më armiqësor që ai ka ndërmarrë në serinë e akteve armiqësore ndaj shtetit ligjor, demokracisë në Shqipëri. Bllokimi i heqjes së imunitetit dhe arrestimit të Lubi Ballukut nga Edi Rama ishte një mburojë për veten e tij, pasi në dosjen Balluku, Edi Rama është aksioner të paktën me 60 përqind të veprave kriminale që mban ajo dosje në total 1.2 miliardë euro.

Qytetarët shqiptarë kanë sot 1001 motive për të dalë nga guaska e konformizmit dhe e frikës, për t’u bashkuar me ne në kryengritjen tonë paqësore”, tha Berisha.

Kreu i PD-së u ndal edhe te çmimi i karburanteve, duke theksuar se qytetarët shqiptarë përballen me kosto të larta, të cilat ai i lidhi me politikat fiskale të qeverisë. Ai kritikoi gjithashtu mungesën e mbështetjes për fermerët dhe transportin publik, duke pretenduar se këto sektorë janë rënduar nga rritja e çmimeve.

Sipas tij, situata aktuale ekonomike dhe sociale është një tjetër arsye që qytetarët t’i bashkohen protestës.