Në protestën para kryeministrisë, Sali Berisha përshëndeti edhe protestuesit e Adriatik Lapajt. Pas përplasjes me Policinë, e cila vendosi kordonin e policisë për protestën e PD, Lapaj dhe mbështetësit e tij ularguan për t’i liruar bulevardin Sali Berishës. Ndërsa ky i fundit në fjalën e tij akuzoi policinë se me akte banditësh i heq Lapajt çadrat dhe karriget që përdor gjatë protestës paqësore.
“Të nderuar protestues të partisë Shqipëria Bëhet, sonte ne mblidhemi për të shpallur para mbarë shqiptarëve se PD nis betejën e saj përfundimtare për fitoren e opozitës, për fitoren e shqiptarëve. Parafolësit këtu theksuan se Rama është hajdut i papërmbajtur por në të gjitha ligësitë e njeriut ajo që shteron guximin më shumë është vjedhja. Rama është frikacaku më i madh që ka njohur Shqipëria në atë detyrë. Shikoni se çfarë bën çdo natë, me Adriatik Lapajn në protestën e tij me qytetare, më civile, vë një karrige aty disa mjete dhe proteston në emër të çdo qytetari. Çdo ditë me orë të tëra policia, banditët ua heqin çadrat, tavolinën, ujin me akte banditeske. Pse kjo? Sepse ai është kryefrikacaku i kombit. Këtë shesh nuk e lëshojmë pa largimin e Ramës. Rrugë tjetër përveç protestës, kacafytjes me të nuk ka dhe nuk mund të ketë”, tha Berisha.
Në protestën para Kryeministrisë u shfaq edhe vajza e liderit demokrat, Argita Berisha
Spostimi nga trotuari para godinës qeveritare, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, shkaktoi përplasje fizike mes protestuesve të partisë “Shqipëria Bëhet” dhe bluve.
Gjatë konfrontimit mbeti i lënduar një nga mbështetësit e Lapajt, të cilin minuta më pas e transportuan me ambulancë drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Pas spostimit me forcë, Lapaj tha se veprimi i policisë tregon bashkëpunimin mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, pasi për protestën e kryedemokratit po sigurohen kushtet për zhvillimin e saj, si lidhja me energjinë elektrike që nevojitet për ndezjen e prozhektorëve, funksionimin e mikrofonit në podium dhe bokseve të zërit.
Ndërkohë, pas përplasjes me Policinë, Shqipëria Bëhet u largua nga bulevardi dhe u vendos pranë Kryesisë së Kuvendit për t’i liruar vendin Sali Berishës për protestën e radhës.