Aktualitet

Besimtarët e Krishterët festojnë Pashkën!

Besimtarët e krishterë katolikë, ortodoksë e ungjillorë, sot kremtojnë festën e Pashkës, ringjalljen e Jezu Krishtit. Pashka është ndër festat më të rëndësishme të besimit të krishterë që simbolizon triumfin e jetës ndaj të keqes, vdekjes. Këtë vit jubilar ekumenik Pashka festohet në të njëjtën ditë si në kalendarin Gregorian ashtu edhe në atë Julian. Të krishterët perëndimorë ndjekin kalendarin Gregorian, të prezantuar nga Papa Gregori XIII në shekullin XVI, kur u vu re se datat po dilnin jashtë përputhjes me stinët.

Por, shumë kisha ortodokse mbeten me kalendarin më të vjetër Julian nga koha e Jul Cezarit, që do të thotë se tani ka një hendek 12-ditor midis dy kalendarëve. Në janar të këtij viti, Papa Françesku bëri thirrje për një datë të përbashkët për Pashkën mes kishave të krishtera, nën frymën e promovimit të unitetit.

Pashka paraprihet nga koha parapërgatitore e agjërimit që zgjat 40 ditë e quhet Kreshmë. Fillon nga e “Mërkura e Përhime” dhe mbaron të dielën e Palmave, e diela e fundit para ditës së Pashkës. Gjatë kohës së Kreshmës, përkujtohen ditët e kaluara në shkretëtirë të Krishtit, në lutje e agjërim.

Pas kremtimit të “Udhës së Kryqit, dje besimtarët katolikë i janë drejtuar kishës për bekimin e ushqimit, një tjetër ritual i Pashkës. Në shportën me ushqime që përmban tryeza e së dielës së Pashkës, nuk mungon buka e saj, një shishe vere, pak djathë dhe hudhra të njoma që simbolizojnë ardhjen e pranverës, si dhe veza e kuqe, simboli i ngjalljes së Krishtit dhe ripërtëritjes.

Gjithashtu, besimtarët ortodoksë në mbarë vendin kremtuan në mesnatë ngjalljen e Krishtit në meshën e Pashkës. Me lutjet për paqe dhe mirësi, ndoqën meshën e ngjalljes së Krishtit në Kishat dhe Katedralet në mbarë vendin.

Krishti u ngjall, vërtet u ngjall.

Në kryeqytet, besimtarët ndezën qirinj në “Katedralen Ortodokse Ngjallja e Krishtit” për të çuar në shtëpi dritë nga drita e Jezu Krishtit të ringjallur. Festimet e Pashkës përfundojnë sot me drekën tradicionale. Për festën e Pashkës, besimtarët shkëmbejnë dhe thyejnë vezët e lyera me ngjyrë të kuqe, simboli i jetës e më pas urojnë njëri-tjetrin për këtë ditë të shënuar.

Veza e kuqe është një veçori karakteristike e kësaj feste që simbolizon jetën, e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës. Tradita e vezëve ka zanafillë pagane që vijon edhe sot e kësaj dite e simbolizon rilindjen e natyrës në stinën e pranverës.

Në tryezën e kremtimit të Pashkës nuk mungon mishi i qengjit, një tjetër simbolikë e kësaj feste prej shekujsh. Karakteristikë e kësaj feste është edhe qumështori, ëmbëlsirë tipike pranverore që përgatitet me vezë, shoqëruar me hudhra të njoma.