Nuk di ç’më kishte mbajtur kaq gjatë larg të parit Big Little Lies. Çfarëdolloj force e jashtëzakonshme më ka penguar – e mallkoj. E di që seritë e limituara nuk hyjnë në preferencat e gjithkujt, ama nëse kurrë s’keni parë një të tillë – Big Little Lies është seriali me të cilin ja vlen të “humbisni virgjërinë”.
Treguar nga perspektiva e tre nënave – Madeline, Celeste dhe Jane – njëra më e ndryshme nga tjetra. Duket sikur e vetmja gjë që i bashkon protagonistet, përveç vrasjes së mistershme, është kuptimi i heshtur me sy.
Në qytetin bregdetar të Monterey, gjithçka është perfekte në pamje të parë. Vila buzë detit, bashkëshorte e nëna të përkushtuara, burra të suksesshëm, fëmijë të mirë edukuar të cilët shihen nën mikroskop, duke u analizuar në 360 gradë, deri tek gjendja e tyre emocionale. Monterey duket si vendi perfekt për të jetuar familjarisht, por mjafton të gërvishtësh pak sipërfaqen për të kuptuar se kopertinat zakonisht ekzistojnë për të fshehur “shëmtinë” që jeton pas.
Sekrete, probleme familjare, tradhti e dhunë janë “shëmtitë” që çdo grua në Monterey mbyll me çelës në “kutinë e saj të Pandorës” çdo ditë. Urrej të kem personalitet paragjykues, por në pamje të parë gratë e Monterey duken bosh, si ata njerëzit që pësojnë katarsis në rast se makiatoja e tyre e mëngjesit nuk ka aq shkumë sa ata kishin imagjinuar. Rrugës kupton se kjo është fasada që kanë zgjedhur për të mbuluar dramat e thella që fshihen pas.
Bazuar në Best-seller-in e New York Times, kast-i i këtij seriali ngjason me përzgjedhjen e frutave një nga një. Nicole Kidman, Meryl Streep, Reese Witherspoon dhe Shailene Woodley janë yjet e Big Little Lies, përzgjedhje që e bën të vështirë të veçosh aktrimin e dikujt.
Nuk dua që premisa e serialit t’ju limitojë duke e përkufizuar këtë të fundit si “një serial për gra”, pasi është gjithçka e në fund aq.
Reese Witherspoon luan rolin e Madeline, një grua kaotike të cilës duket sikur i flet goja para mendjes. E martuar me Ed, një burrë i dashur e i përkushtuar i cili i ofron gjithçka përveç pasionit, Madeline kalon kurbën e saj të ngjarjeve përgjatë serialit, nga “derexhetë” që krijon vetë,deri tek tradhtia bashkëshortore.
Nicole Kidman luan rolin e Celeste, gruaja më e bukur e Monterey për të cilën i gjithë qyteti ka diçka për të thënë. E bekuar me dy binjakë dhe burrin në pamje të parë perfekt (i gjatë, i suksesshëm, i obsesionuar me të shoqen), Celeste ka hequr dorë nga karriera e saj si avokate sepse në “idealin” që ekziston në kokën e të shoqit, ajo duhet të jetë një shtëpiake. Nuk është vetëm kufizimi profesional ajo çka e shtyn Celeste drejt terapisë, e në fund drejt ndarjes së pashmangshme (ma besoni këto janë vetëm maja e ajsbergut). Përgjatë viteve, Celeste dhe i shoqi, Perry, kanë krijuar një marrëdhënie abusive me njëri-tjetrin. Sa herë Perry ndihet sikur Celeste po shikon jetën e saj dhe e kaplon frika se e shoqja po i “rrëshqet nga duart”, ai ushtron dhunë fizike mbi të, dhunë që përherë zhvillohet në seks pasionant mes të dyve. Një portretizim fantastik televiziv i simbiozës së pashëndetshme.
Shailene Woodley luan rolin e Jane, një vajzë e re që sapo është shpërngulur në qytet me të birin. E vendosur për të krijuar një jetë të re, Jane mundohet të krijojë raporte me zonjat e Monterey, pavarësisht se duket sikur diçka e mundon e prej dikujt ruhet. Po e zbuloj sekretin e Jane pasi seriali ka kthesa të paparashikueshme shumë më të rënda se kjo, thjesht e shoh si detaj i rëndësishëm për të treguar se personazhet kanë nuancë e substancë. Jane ka kaluar një episod të rëndë përdhunimi me një të panjohur me të cilin pati marrëdhënie vetëm një natë, raport rezultat i së cilit është djali i saj.
Me një dialog inteligjent mes personazheve e një soundtrack që do ju bëjë të shkarkoni playlist-ën e serialit teksa shkoni në punë, Big Little Lies ka një ritëm kinematografik të cilin rrallë e kam hasur. Kur zbulova se regjisori ishte Jean-Marc Vallée, syrin artistik të së cilit mund ta keni hasur tek Dallas Buyers Club, të gjitha pikat u lidhën dhe formuan imazhin e plotë.
Nga rolet gjinore tek inferioriteti që çon në gabime jetësore, duket sikur palumturia e banorëve të Monterey kurohet gabim nga vetë protagonistët, të cilët pandehin se një shtëpi më e madhe, një lidhje jashtëmartesore, një toksicitet në çift, do arrijë të mbushë boshllëkun.
Nëse do më duhej të merrja një takeaway nga Big Little Lies do ishte:
Bëj kujdes me emocionet e mbartura. Sado mbarten brenda për të krijuar një imazh “perfekt”, rrezikojnë të sjellin më shumë dallgë se det të qetë.
Nuk e di pse mu kujtuan sëmundjet autoimune teksa shihja serialin. Sa herë tentojmë në përditshmërinë tonë të jemi “njeriu më i rritur”, dhe vetëpërmbahemi, shtypim emocionet ose zemërimin, rrezikojmë t’i bëjmë shëndetit tonë një dëm prej të cilit duhen vite mjekim e meditim për tu shëruar.
Sëmundjet autoimune janë fatura e emocioneve të pathëna.
Do thoni ju:
Pse po e bën këtë paralelizëm me Big Little Lies?
Paralelizoj sepse pas buzëqeshjeve perfekte dhe veshjeve të përzgjedhura për eventet e bamirësisë, gratë e Monterey fshehin dhimbje dhe sekrete që në fund përkthehen në tragjeditë që rrjedhin.