Bota

Bisedime mes Shteteve të Bashkuara e Iranit më 12 prill!

Presidenti Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë “të drejtpërdrejta” me Iranin dhe se një “takim shumë i madh” do të mbahet më 12 prill. Kryediplomati iranian konfirmoi një takim më 12 prill, por theksoi se bisedimet do të jenë “të tërthorta”.

Irani dhe Shtetet e Bashkuara do të takohen në Oman, të shtunën për bisedime të nivelit të lartë, por të tërthorta, shkroi Abbas Araghchi në X, pak pasi Trump foli për bisedimet.Kjo është një mundësi, por edhe një provë. Tani topi është në fushën e Amerikës.

Irani ka kërkuar negociata të tërthorta, duke deklaruar se nuk do të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta teksa është në fuqi fushata e “presionit maksimal” e administratës Trump ndaj Teheranit. Nga Shtëpia e Bardhë, Trump u shpreh se bisedimet po zhvillohen “në një nivel shumë të lartë, pothuajse më të lartin” e theksoi se nuk ka ndërmjetës.

Do të kemi një takim shumë të madh dhe do të shohim çfarë mund të ndodhë. Mendoj se të gjithë bien dakord që një marrëveshje do të ishte përafruese, tha Trump në një konferencë të papritur për shtyp me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Nëse bisedimet me Iranin nuk do të jenë të suksesshme, mendoj se Irani do të jetë në rrezik të madh. Republikës Islamike nuk duhet t’i lejohet të zhvillojë armë bërthamore.

Netanyahu e përkrahu shkurtimisht idenë e një marrëveshjeje me Iranin, të ngjashme me të Libisë, referencë për akordin e 2003-shit kur Libia pranoi të çmontonte programet e armëve të shkatërrimit në masë. Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është për qëllime civile dhe ka refuzuar çdo mundësi për një akord në stilin e Libisë.

Më herët këtë muaj, Trump bëri thirrje për “bisedime të drejtpërdrejta” me Teheranin, duke thënë se ato janë “më të shpejta” dhe ofrojnë një kuptim më të mirë se përdorimi i ndërmjetësve. Ai sugjeroi se një marrëveshje e re me Iranin mund të jetë “e ndryshme e ndoshta shumë më e fuqishme” se e vitit 2015.

Më parë, pati dërguar një letër për Udhëheqësin Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, duke kërkuar negociata dhe paralajmëruar për veprim ushtarak, nëse diplomacia dështon. Presidenti iranian, Masud Pezeshkian deklaroi se Teherani është i gatshëm të angazhohet në dialog mbi baza të barabarta. Një ditë më vonë, Araghchi tha se Irani është i përgatitur për bisedime të tërthorta.

Pas tërheqjes nga marrëveshja bërthamore në vitin 2018, gjatë mandatit të parë si president, Trump riktheu sanksionet ndaj Iranit që ishin hequr përmes akordit. Irani reagoi duke përshpejtuar programin bërthamor dhe aktualisht pasuron uranium në 60%, që konsiderohet afër nivelit të armëve.

Trump kërcënoi se do ta bombardojë Iranin nëse nuk arrihet një marrëveshje për programin e tij bërthamor. Irani ka paralajmëruar se do të japë një “përgjigje të fortë” ndaj çdo agresioni dhe ka sugjeruar se do të zhvillojë një bombë nëse sulmohet.

Administrata amerikane ka dhënë sinjale të përziera nëse synon të kufizojë pasurimin e uraniumit nga Irani apo ta çmontojë plotësisht programin bërthamor të Teheranit. Irani nuk ka komentuar deklaratën e Trump-it se bisedimet e drejtpërdrejta tashmë kanë filluar.