Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kërcënoi Iranin me disa masa, nisur nga sanksionet dhe tarifat e reja e deri te veprimet ushtarake. Kjo, pasi presidenti iranian refuzoi mbajtjen e bisedimeve të drejtpërdrejta me Uashingtonin për programin bërthamor.
Do të shohim nëse mund të bëjmë diçka. Nëse jo, do të jetë një situatë e keqe, iu tha Trump gazetarëve ndërsa fluturonte nga Florida për në Uashington. Unë do të preferoja një marrëveshje në vend të alternativës tjetër, që mendoj se të gjithë në këtë avion e dinë se çfarë është. Nuk do të ishte një gjë e bukur.
Më herët, Trump paralajmëroi se pa marrëveshje do të ketë bombardime dhe do të jenë bombardime që ata nuk i kanë parë kurrë më parë. Po ashtu, tha se po shqyrton vendosjen e tarifave ndaj vendeve që blejnë naftë nga Irani, si pjesë e strategjisë së tij për “presion maksimal” kundër Teheranit.
Presidenti iranian, Masud Pezeshkian, e kundërshtoi publikisht mbajtjen e negociatave të drejtpërdrejta me Uashingtonin për programin e tij bërthamor, çka ishte propozuar në një letër që Trump i dërgoi Teheranit në fillim të muajit.
Edhe pse në këtë përgjigje është hedhur poshtë mundësia e negociatave të drejtpërdrejta mes dy palëve, u theksua se rruga për negociata indirekte mbetet e hapur, tha Pezeshkian.
Zyrtarë të lartë iranianë kanë folur kundër idesë së mbajtjes së bisedimeve direkte me Shtetet e Bashkuara, por komentet e Pezeshkianit shënojnë refuzimin e parë zyrtar nga Irani. Në përgjigje, Departamenti amerikan i Shtetit theksoi se “presidenti Trump ka qenë i qartë: Shtetet e Bashkuara nuk mund ta lejojnë Iranin të ketë armë bërthamore”.
Presidenti shprehu gatishmërinë e tij për të diskutuar një marrëveshje me Iranin. Nëse regjimi iranian nuk dëshiron marrëveshje, presidenti është i qartë: Ai do të ndjekë opsione të tjera, të cilat do të jenë shumë të këqija për Iranin.
Që kur Trump është kthyer në Shtëpinë e Bardhë në janar, administrata e tij ka theksuar se Irani nuk duhet të lejohet të ketë armë bërthamore, ndërsa paralajmëroi se veprimet ushtarake janë po ashtu në tryezë, nëse Irani refuzon idenë e Trump-it.
Irani pohon se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore. Por, një raport i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së, i publikuar në muajin shkurt, nxori në pah se Republika Islamike ka përshpejtuar prodhimin e uraniumit, që përdoret për armë.