Kremlini mohon informacionin e publikuar nga Wall Street Journal mbi një takim të dytë ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës në Vatikan.
Sipas artikullit të Wall Street Journal, Donald Trump deklaroi më 19 maj para liderëve evropianë se raundi i ardhshëm i bisedimeve paqësore mes rusëve dhe ukrainasve do të mbahet në Vatikan.
“Nuk ka ende marrëveshje, nuk ekziston një marrëveshje konkrete për takimet e ardhshme”, deklaroi sot zëdhënësi i presidencës ruse, Dmitry Peskov.
“Po vazhdon puna për zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur tashmë.”
Papa i ri, Leoni XIV, javën e kaluar ofroi ndërmjetësimin e tij mes palëve në konflikt në mbarë botën.
Nga ana e tij, presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, deklaroi dje në televizionin publik finlandez se një takim me karakter teknik mund të zhvillohet javën e ardhshme mes palëve ndërluftuese, por gjithashtu me përfshirjen e amerikanëve, evropianëve dhe Vatikanit.
Rusia dhe Ukraina kanë bërë të ditur se dëshirojnë të realizohet marrëveshja për shkëmbimin e të burgosurve të luftës në raportin “1000 për 1000”, e cila u shpall të premten e kaluar në Turqi, përpara çdo takimi tjetër të mundshëm.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të AFP-së, zëdhënësi i presidencës ukrainase, Serhii Nykyforov, refuzoi të komentojë.
Nga ana tjetër, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi të hënën në mbrëmje, pas një telefonate me Donald Trump, se Kievi po shqyrton të gjitha mundësitë për vendin ku mund të zhvillohet një takim i ri dypalësh me rusët, veçanërisht “Turqinë, Vatikanin, Zvicrën”.