Tre kontrollorët e ndaluar pas pezullimit të punës në aeroportin e Rinasit do të dalin nesër para Gjykatës.
Prokuroria ka kërkuar “arrest shtëpie” për përgjegjësen e turnit, Flora Ndrecën pasi ka fëmijë të vegjël ndërsa për kontrollorin Muhin Mezini dhe Armando Fezgën, kreun e Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror ka kërkuar “arrest me burg”.
Ata pritet që të dalin përpara gjykatës, për t’u njohur me masën e sigurisë, për shkak të akuzës që prokuroria ka ngritur; atë të shpërdorimit të detyrës.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës rinisi sot fluturimet komerciale pas pezullimit të tyre për shkak të protestës së kontrollorëve të trafikut ajror. Protesta e tyre solli bllokim të aeroportit për dy ditë.
Mbi 20 kontrollorë të Albcontrol u morën në pyetje, teksa tre prej tyre u arrestuan për shpërdorim detyre.