Aktualitet

Albcontol nis përgatitjen e infrastrukturës para vendosjes në punë të Aeroportit të Vlorës!

Albcontrol po përgatit aspekte të nevojshme të infrastrukturës për Aeroportin e Vlorës që pritet të hyjë në funksion vitin e ardhshëm. Në sistemin e prokurimeve sot u çelën dy procedura specifike të lidhura me këtë aeroport ku e para ka në objekt të kontratës “Blerjen dhe instalimin e Sistemeve VCS (Voice Communication System), VCR (Voice Communication Recorder) për Kullën e Kontrollit në Aeroportin e Vlorës” me një fond limit 39.7 milion lekë apo 390 mijë euro dhe “Blerjen dhe instalimin e Radiove VHF për komunikimet Tokë-Ajër për stacionet e Malit të Krujës e Akërnisë” me fond limit 170 milion lekë apo 1.7 milion euro.

Nga të dhënat në procedurat përkatëse nënvizohet se punimet duhet të kryhen në disa pika dhe duhet të përfundojnë në një pjesë të tyre brenda 6 muajsh e në një stacion tjetër në një afat prej 8 muajsh. Pritshmëria është që aeroporti të përfundojë para këtij afati që paracaktohet në prokurimet që po bën Albcontrol. Ky i fundit ka prokuruar edhe më herët kontrata që lidhen me plotësimin e infrastrukturës së nevojshme në funksion të aeroportit.

Në deklarata të mëparshme, përfaqësues të qeverisë janë shprehur se punimet do të përfundonin brenda dhjetorit dhe operimi do të niste në prill 2025. Nisja e funksionimit të këtij aeroporti para sezonit turistik është mjaft e rëndësishme sidomos për agjencitë turistike, që deklarojnë se kanë interes për turizëm të organizuar në jug. Janë bërë rezervime kryesisht në zonën e Vlorës.

Në fillim të vitit 2021, qeveria shpalli fituesin për koncesionin e Aeroportit të Vlorës me ofertë investimi 103 milion euro ku bënin pjesë dy kompani Mabco Constructions SA e investitorit Behgjet Pacolli dhe ortaku turk YDA Insaat Sanayi ve Ticaret. Në dhjetor të 2022-it, Mabco mori kontrollin e plotë të aksioneve. Për këtë projekt, qeveria aplikoi garantimin e trafikut të munguar. Në total, të ardhurat e garantuara duhet te jenë rreth 138 milion euro. Kontrata parashikon që aeroporti të përfundojë në vitin 2024./Monitor