Gossip Showbiz

Motra e Freddie Mercuryt, e zhgënjyer nga ish-partnerja e tij? Çfarë ndodhi?

Kashmira Bulsara, motra e legjendës së muzikës Freddie Mercury, është ndjerë thellësisht e lënduar nga vendimi i ish-partneres së tij, Mary Austin, për të nxjerrë në shitje sendet personale të artistit. Lajmin e bën të ditur tabloidi britanik “The Sun” duke cituar një burim të afërt me familjen.

Sipas burimit, Kashmira, tashmë 73 vjeçe, u trondit kur mësoi për ankandin e organizuar nga shtëpia prestigjioze “Sotheby’s”, ku u ekspozuan për shitje qindra objekte që i përkisnin Freddie Mercuryt.

Në mënyrë diskrete, ajo mori pjesë në ankand së bashku me djalin e saj, Jamal Zook, dhe asistentin personal, duke shpenzuar afro 3 milionë funte (rreth 3.5 milionë euro) për të blerë disa nga sendet më të dashura të vëllait të saj.

Ata kishin parashikuar një buxhet të konsiderueshëm dhe në fund ishin të kënaqur me blerjet – edhe pse shumica e sendeve u blenë me çmime më të larta se vlerësimi fillestar. Kashmira vlerëson dashurinë që publiku ka për Freddie-n, por ideja që kujtimet më personale të tij të përfundonin jashtë familjes e ka pikëlluar shumë

Ndër objektet që thuhet se u rikthyen në familje përmes këtij ankandi janë një jukebox, një jelek me figurat e maceve që Freddie e kishte veshur gjatë videoklipit të këngës “These Are The Days Of Our Lives”, si dhe tetë faqe me versionet origjinale të tekstit të “Killer Queen”.

Freddie Mercury dhe Mary Austin u njohën në vitin 1970 dhe jetuan bashkë për disa vite, para se këngëtari t’i tregonte se ishte homoseksual në vitin 1976.

Megjithatë, lidhja mes tyre mbeti shumë e ngushtë deri në fundin e jetës së Mercuryt në vitin 1991, me artistin që e përshkruante shpesh Mary-n si “gruan e tij”, pavarësisht se nuk u martuan kurrë.