Trupi i një gruaje, e dyshuar si autore e një sulmi me bombë në Monako javën e kaluar, që vrau biznesmenin ukrainas Vadim Ermolaev, është gjetur në Ukrainë, ndërsa dy burra janë vënë në pranga për vrasjen e saj.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës bëri të ditur se një punonjës aktiv i shërbimit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës dhe një ish-polic janë ndaluar nën dyshimin për vrasjen e Anastasiia Berezovskës.
Trupi i Berezovskës, një ukrainase në kërkim nga Interpoli për shpërthimin me bombë të 29 qershorit, u gjet me plagë nga armë zjarri në kokë, ndërsa pranë trupit u gjetën edhe gëzhoja pistolete, thuhet në deklaratën e Prokurorit të Përgjithshëm të publikuar në Telegram.
Dy të arrestuarit dyshohen si autorë të vrasjes dhe besohet gjithashtu se janë të përfshirë në sulmin me bombë në Monako, thuhet më tej në deklaratë.
Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej tyre, autoritetet zbuluan një dhomë në bodrum që i ngjante një dhome torturash.
Berezovska kërkohej nga autoritetet e Monakos me akuza për tentativë vrasjeje, vendosje të një mjeti shpërthyes në një vend publik me qëllim kriminal dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.
Sipas deklaratës, dy të arrestuarit kishin komunikuar me Berezovskën pasi ajo ishte kthyer në Ukrainë më 1 korrik dhe i kishin transferuar vazhdimisht para në llogaritë e saj bankare dhe në portofolat e saj të kriptomonedhave.
Punonjësi i intreligjencës ka pranuar se e vrau Berezovskën së bashku me të pandehurin tjetër dhe ka deklaruar se veproi pa dijeninë e eprorëve të tij .
Zëvendësprokurori i Monakos deklaroi javën e kaluar se autorja e dyshuar u largua në këmbë nga principata drejt Francës fqinje dhe më pas iku me makinë drejt Gjermanisë, duke kaluar nëpër disa vende evropiane, përfshirë Italinë.
Trupi i Berezovskës u gjet të hënën pranë Kievit, rreth orës 23:00 lokale.