Bota

Bota në ankth, mbyllet telefonata Biden-Putin

Zgjati një orë e dy minuta telefonata mes presidentëve të SHBA-ve Joe Biden dhe atij të Rusisë Vladimir Putin në lidhje me krizën në Ukrainë. CNN rapoton se telefonata nisi në orën 11:04 të mëngjesit me orën lokale të Uashingtonit dhe përfundoi në  orën 12:02. Ajo u zhvillua pas një jave intensive përpjekjesh diplomatike për të shmangur konfliktin në Ukrainë, ndërsa Rusia vazhdon të grumbullojë trupa pranë kufirit.

Shtëpia e Bardhë me anë të një deklarate, ka zbardhur një pjesë nga biseda telefonike mes krerëve të dy shteteve.

Në deklaratë thuhet se Biden është shprehur se një pushtim i Ukrainës do të sillte vuajtje dhe kosto të rënda në jetë njerëzish.

Biden thotë se SHBA është e angazhuar maksimalisht në diplomaci për të gjetur një zgjidhje paqësore për këtë tension të krijuar.

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë:

Presidenti Biden ishte i qartë se, nëse Rusia ndërmerr një pushtim të mëtejshëm të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara së bashku me aleatët dhe partnerët tanë do të përgjigjen me vendosmëri dhe do t’i imponojnë Rusisë sanksione me kosto të rënda. Presidenti Biden përsëriti se një pushtim i mëtejshëm i Ukrainës do të sjellë vuajtje të gjerë njerëzore dhe do të zvogëlonte pozitën e Rusisë. Presidenti Biden ishte i qartë me Presidentin Putin se ndërsa Shtetet e Bashkuara mbeten të përgatitura për t’u angazhuar në diplomaci, në koordinim të plotë me aleatët dhe partnerët tanë, ne jemi po aq të përgatitur për skenarë të tjerë.

Më herët, Putin foli me presidentin francez Emanuel Macron dhe të premten, Biden zhvilloi një bisedë virtuale me aleatët më të rëndësishëm të NATO-s dhe Bashkimin Evropian.

Shtetet e Bashkuara kanë zhvendosur disa forca amerikane nga Ukraina dhe kanë urdhëruar evakuimin e pjesës më të madhe të stafit të ambasadës së saj të shtunën, pasi frika rritet se një pushtim rus i vendit mund të ndodhë në ditët e ardhshme.

Administrata amerikane e ka njoftuar një pushtim të mundshëm të Ukrainës nga Rusia deri të mërkurën e javës së ardhshme në një kohë që të gjitha kancelaritë perëndimore i kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të largohen nga vendi. Edhe Qeveria jonë i kërkoi shqiptarëve që të mos udhëtojnë në Ukrainë ose të largohen nëse janë atje.