Sport

Botërori i Klubeve, sot “drithërimat” e finales PSG-Chelsea!

Në mbrëmje, ora 21:00, PSG dhe Chelsea diskutojnë trofeun e Kupës së Botës për Klube. Në stadiumin “MetLife” në New Jersey, kampionët e Europës sfidohen nga Chelsea i Enzo Marescas, që ka treguar forcë e cilësi në fushë. Finalja është për t’u fituar. Maresca kërkon një trofe madhor, me kompeticionin që për herë të parë u luajt në këto përmasa. Italiani i Chelsea-t ka bërë një punë të mirë në ringritjen e bluve dhe një trofe do t’i vendoste “vulën” një sezoni ku gjithashtu fituan Conference League-n.

Mendoj se çdo ndeshje mund të jetë e ndryshme. Ne kemi respektin më të madh për ta e më pëlqen shumë t’i shikoj, por në të njëjtën kohë, jemi këtu për të dhënë gjithçka dhe për të provuar të fitojmë finalen.

Një vit më parë, askush nuk fliste për Chelsea-n në aspektin e futbollit. Flisnin vetëm për të pasur një ekip të shkëlqyer dhe shumë para, gjëra të tilla. Tani askush nuk i thotë më këto gjëra, të gjithë flasin për Chelsea-n, mënyrën se si luajmë, si i fitojmë ndeshjet dhe ky është personalisht suksesi më i madh, u shpreh Maresca.

Për këtë duel, Maresca nuk do të ketë të gatshëm 5 futbollistë. Castledine, Fofana, Kellyman, Lavia e Badiashile janë të dëmtuar.

Ndërkaq, Luis Enrique vlerësoi lojën e Chelsea-t dhe u shpreh se e pëlqen punën e bërë nga kolegu Maresca. Për spanjollin që fitoi edhe Champions League-ën, ky është një sezon i mirë që meriton të mbyllet me trofe.

Chelsea? Vetëm ata që nuk i njohin do të thoshin se është një formalitet. Ata kanë një trajner të shkëlqyer e një ekip të plotë. Ne do të japim gjithçka. Sezoni i jetës sonë? Ndoshta po. Por, kemi një finale që duhet ta fitojmë. Kur ta fitojmë do ta themi. Duhet të japim 100%.

Kam parë një qëndrim të jashtëzakonshëm nga të gjithë. Sa i përket efektivitetit, ka qenë një vit i jashtëzakonshëm. Ka qenë një sezon historik e duam ta përfundojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, deklaroi Enrique.

Trajneri i PSG-së nuk do të ketë të gatshëm futbollistët Lucas Hernandez, Mukiele e Pacho.

Shpërblimet

Fituesi do të përfitojë afro 106 milion euro (në total nga gjithë aktiviteti), ndërsa finalisti do të marrë gjithashtu një shpërblim po aq të majmë.

Formacionet e mundshme:

Chelsea (4-3-3): Sanchez; James, Chalobah, Colwill, Cucurella; Caicedo, Fernandez, Neto; Palmer, Joao Pedro, Delap Trajner: Enzo Maresca.

PSG (4-3-3): Donnarumma; Hakimi, Marquinhos, Beraldo, Mendes; Vitinha, Ruiz, Neves; Doue, Kvaratskhelia, Dembele Trajner: Luis Enrique.

Supersfida përcillet ekskluzivisht në DigitALB.