Sport

Briken Calja shpallet kampion Europe në shtytje, medalje ari dhe argjendi për Shqipërinë!

Peshëngritësi shqiptar Briken Calja është shpallur kampion Europe në stilin e shtytjes në Batumi të Gjeorgjisë. Calja, i cili garoi në kategorinë 79 kilogramë, ngriti 187 kilogramë në shtytje, duke zënë vendin e parë. Pikërisht në Batumi, ku shtatë vjet më parë Briken Calja kishte ndezur kampionatin europian duke fituar me shkëputjen, elbasanasi u kthye në 2026 me një mision ende më të madh dhe e plotësoi me ngjyrën e arit.

Përveç medaljes së artë në shtytje, Calja mori edhe medaljen e argjendtë në dygarësh. Në total, peshëngritësi shqiptar ngriti 340 kilogramë, vetëm 1 kilogram më pak se rusi Serobian.

Briken Calja, i lindur më 19 shkurt 1990 në Elbasan, është sot 36 vjeç një moshë në të cilën shumica e peshëngritësve kanë hequr dorë prej kohësh nga pesha. Por peshëngritësi kuqezi ka treguar vazhdimisht se pasioni dhe disiplina ia kalojnë matematikës së viteve. Ai ka konkurruar për Shqipërinë në tri Olimpiada, me rezultatin më të mirë vendin e katërt në Tokio 2020 me totalin 341 kg. Karriera e tij ndërkombëtare është ngjyrë medalje: kampion i Europës u bë në vitin 2018 në Bukuresht, ndërsa në Kampionatin Botëror të Tashkentit 2021, Calja shkroi histori duke fituar arin në shkëputje dhe argjentin si në shtytje ashtu edhe në dygarësh. Në Batumi 2026, ai shtoi edhe titullin e ri europian në shtytje dhe medaljen e argjentë në dygarësh prova se ka ende për të dhënë.

Nuk shkoi mirë gara për Erkand Qerimaj, i cili garoi në të njëjtën kategori. Ai ngriti 152 kilogramë në shkëputje, ndërsa në shtytje nuk realizoi asnjë nga tre provat, duke mos u renditur në dygarësh. Shkodrani 37 vjeçar, Qerimaj, është një nga peshëngritësit me eksperiencën më të madhe ndërkombëtare të Shqipërisë, me debutim olimpik në Pekin 2008 dhe rikthim në Tokio 2020. Karriera e tij është e tejmbushur me medalje europiane: ai fitoi titullin europian absolute dhe arin në shtytje në kampionatin e vitit 2014 në Izrael, ndërkohë që në 2022 u shpall kampion i Europës në shkëputje, kur ngriti 150 kg duke konkurruar në kampionatin e organizuar pikërisht në Tiranë. Por në Batumi 2026, historia qe ndryshe dhe e hidhur: Erkand Qerimaj nuk arriti të ngrejë asnjë peshë në stilin e shtytjes, duke mos plotësuar dygarëshin dhe duke mbetur jashtë renditjes finale.