Avionët luftarakë britanikë së shpejti mund të mbajnë bomba bërthamore, për herë të parë në histori, ndërsa kërcënimi nga Vladimir Putin po rritet.
Britania e Madhe dëshiron të blejë avionë luftarakë të aftë për të qëlluar me armë bërthamore taktike, një vendim me peshë në strategjinë e parandalimit, i cili synon të kundërshtojë kërcënimin në rritje që paraqet Rusia. Qeveria e Keir Starmer është në bisedime shumë të ndjeshme mbi këtë veprim, i cili do të përfaqësonte një kthesë të rëndësishme strategjike për Mbretërinë e Bashkuar, që nuhat një situatë rreziku bërthamor, të krahasueshme me kohën e Luftës së Ftohtë.
Sekretari i mbrojtjes, John Healey, dhe Admirali Sir Tony Radakin, kreu i forcave të armatosura, po kërkojnë të blejnë avionë luftarakë të prodhuar në Amerikë, të aftë për të lëshuar bomba gravitacionale me fuqi më të ulët se armët bërthamore konvencionale. Starmer gjithashtu ka dhënë mbështetjen e tij dhe besohet se kanë zhvilluar diskutime me Pentagonin.
Sipas mediave të huaja, Healey refuzoi të komentonte mbi bisedimet, por pranoi se Britania duhet të përshtatet me “epokën e re të kërcënimit” me të cilën përballet.
“Bota po bëhet padyshim më e rrezikshme. Rreziqet bërthamore po rriten. Tani përballemi, për herë të parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë, me rreziqe serioze në rritje, të konfliktit shtet-me-shtet”, tha ai.
Me Presidentin Putin që kërcënon vazhdimisht për përshkallëzim bërthamor në vitet e fundit, ka shqetësime në rritje se Moska mund të përdorë armë bërthamore taktike në Ukrainë ose në frontin lindor të NATO-s.
Ndërsa kjo e fundit pothuajse me siguri do të provokonte konflikt me NATO-n sipas Nenit 5 – një sulm i armatosur kundër një anëtari konsiderohet sulm kundër të gjithëve – është e paqartë nëse një sulm i kufizuar taktik bërthamor nga Rusia do të provokonte një hakmarrje të plotë bërthamore.
Shefat ushtarakë të Britanisë tani besojnë se Mbretëria e Bashkuar duhet të jetë në gjendje të përdorë më shumë aftësi bërthamore taktike për të penguar Putinin.