Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dërguan Iranit një propozim për marrëveshje bërthamore, për të cilin Shtëpia e Bardhë tha se është “i pranueshëm” dhe “në interesin më të mirë” të Teheranit që ta pranojë, siç edhe raportuan sot mediat amerikane.
Raportimet në lidhje me këtë propozim vijnë pas një raporti të Kombeve të Bashkuara që tha se “Republika Islamike ka rritur prodhimin e pasurimit të uraniumit në nivele të larta”.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, vuri në dukje se atij i janë paraqitur “elemente të një propozimi të SHBA” nga homologu i tij në Oman, gjatë vizitës që pati në Teheran një ditë më parë.
I dërguari amerikan Steve Witkoff ka dërguar një propozim të detajuar dhe të pranueshëm te regjimi iranian e është në interesin më të mirë të tyre që ta pranojnë, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, siç raportoi New York Times.
Propozimi u përshkrua si seri pikash kyç e jo si një draft i plotë, po sipas New York Times-it, që ka cituar zyrtarë që janë njohur me këtë shkëmbim diplomatik.
Propozimi i bën thirrje Iranit që të ndalë të gjithë pasurimin e uraniumit dhe thekson nevojën e krijimit të një grupi rajonal për të prodhuar energji bërthamore, grup që përfshin Iranin, Arabinë Saudite, të tjera shtete arabe, si edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA.
Irani ka mbajtur pesë raunde bisedimesh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kërkim të një marrëveshjeje të re që do të zëvendësonte akordin me fuqitë bërthamore, nga i cili presidenti amerikan, Donald Trump, u tërhoq gjatë mandatit të tij të parë presidencial, në vitin 2018.
Araghchi deklaroi dje se Irani i konsideron armët bërthamore “të papranueshme”. Këto deklarata i bëri një ditë pasi Trump tha se Irani “nuk mund të ketë armë bërthamore”, si edhe u shpreh që shpreson që së shpejti të arrihet një marrëveshje.