Bota

Britania e Madhe shënon një pikë kthese historike për ligjin e eutanazisë!

Britania e Madhe shënon një pikë kthese historike. Kjo pasi Dhoma e Komuneve miratoi ligjin që synon të legalizojë të drejtën e të rriturve me sëmundje terminale për t’u ndihmuar për të vdekur, siç është parashikuar prej kohësh në ligjet e vendeve të ndryshme liberale në Europën kontinentale, por me një dallim. Britania e kishte refuzuar me shumicë kur votoi vetëm 10 vjet më parë.

Teksti, i quajtur Projektligji për të rriturit me sëmundje terminale (Fundi i Jetës), zbatohet për Anglinë dhe Uellsin, ndërsa Skocia dhe Irlanda e Veriut janë në rrugën e tyre për ta ligjëruar këtë çështje në mënyrë autonome, në bazë të decentralizimit.

Deputetët e Westminster-it, të cilët e kishin miratuar atë në leximin e parë në muajin nëntor të vitit të kaluar me 330 vota pro kundrejt 275 që ishin kundër, tani e miratuan në një version të ndryshuar, pas një debati të karakterizuar nga tone jo pa emocione nga të dyja palët.

Ligji në fjalë kaloi me 314 vota pro dhe 291 kundër, me ndarje dypartiake brenda të gjitha grupeve parlamentare, pas historive të përvojave të dhimbshme personale ose familjare. Tani, ligji do të përcillet në Dhomën e Lordëve, ku megjithatë pritet një shumicë e madhe pro.

Dokumenti kufizon mundësinë e kërkimit të “vetëvrasjes së asistuar” me pëlqimin e dy mjekëve, për të gjithë personat e moshës 18 vjeç e lart që i nënshtrohen “diagnozave terminale” me një jetëgjatësi të treguar jo më shumë se gjashtë muaj.