Policia britanike njoftoi se katër persona janë plagosur pasi një makinë u përplas me këmbësorët dhe drejtuesi goditi me thikë disa njerëz, në afërsi të një sinagoge në Mançester, në veriperëndim të Anglisë. Autoritetet deklaruan se agjentët e qëlluan të dyshuarin. Zyrtarët morën informacione lidhur me një incident në Sinagogën e Kongregacionit Hebraik Heaton Park në Krumpsall, në veri të Mançesterit, pasi një dëshmitar tha se pa një makinë që u përplas me turmën e njerëzve dhe se dikush ishte goditur me thikë.
Në vendngjarje janë parë forca të shtuara të policisë, si edhe ekipe të emergjencave.
Ekipet mjekësore kanë shkuar në vendngjarje … dhe po përkujdesen për qytetarët. Aktualisht, katër qytetarë kanë plagë të shkaktuara si nga makina, por edhe nga goditjet me thikë, deklaruan forcat e rendit përmes një postimi në X.
Një video e publikuar në rrjetet sociale shfaqi policinë duke qëlluar me armë ndaj një personi brenda perimetrit të sinagogës, ndërsa një tjetër i plagosur u pa i shtrirë dhe dukej se kishte të veshur rroba tradicionale hebraike.
Jam i tmerruar nga sulmi në sinagogën në Krumpsall, u shpreh kryeministri britanik, Keir Starmer, përmes një postimi në X.
Për shkak të kësaj ngjarje, ai ndërpreu pjesëmarrjen në samitin e Komunitetit Europian Politik në Danimarkë.
Fakti që kjo ndodhi në Jom Kipur, në ditën më të shenjtë të kalendarit hebraik, e bën këtë ngjarje edhe më të tmerrshme, shtoi Starmer.
Ndërkaq, kryebashkiaku i Mançesterit, Andy Burnham, vuri në dukje se ky ishte një incident serioz.
Iu bëj thirrje njerëzve që të shmangin këtë zonë. Kjo është ngjarje serioze, por në të njëjtën kohë mund t’iu japim siguri njerëzve se rreziku duket se ka kaluar dhe se policia në Mançester e ka trajtuar shumë shpejt këtë rast, u shpreh për radion BBC.
Jom Kipuri është dita më e shenjtë në kalendarin hebraik kur besimtarët shkojnë në sinagoga për t’u lutur. Vitin e kaluar, Britania e Madhe shënoi më shumë se 3.500 incidente antisemitike dhe që u rritën pas nisjes së luftës në Gaza, më 7 tetor 2023, kur Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-të e BE-ja sulmoi jugun e Izraelit, duke nxitur luftën në enklavën palestineze.
Britania po ashtu ka përjetuar një sërë sulmesh të kryera nga militantët islamikë që nga atentatet terroriste më 11 shtator 2001 në SHBA. Më 2017-ën, një kamikaz shpërtheu gjatë koncertit të Ariana Grandes në Mançester. Po ashtu, vitet e fundit, policia ka paralajmëruar lidhur me kërcënimin e terrorizmit nga ekstremi i djathtë.