Aktualitet

Sulmi ndaj Komisariatit nr. 3 në Tiranë/ Identifikohen 12 persona, një i arrestuar

Policia e Tiranës ka identifikuar 12 persona të dyshuar si të përfshirë në sulmin vandal ndaj Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë, gjatë tubimit të zhvilluar më 4 korrik.

Sipas njoftimit zyrtar, një prej personave është arrestuar, katër janë shpallur në kërkim, ndërsa shtatë të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.

I ndaluari është shtetasi me inicialet E. H., 33 vjeç, ndërsa nën hetim në gjendje të lirë janë shtetasit K. M., V. K., E. L., Sh. B., V. D., E. N. dhe B. K.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në aktet e dhunshme ndaj punonjësve të policisë dhe godinës së komisariatit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, “Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, si dhe vepra të tjera penale që lidhen me tubimin.

Ngjarja ndodhi më 4 korrik pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë, ku gjatë protestës u regjistruan përplasje dhe dëmtime ndaj godinës së institucionit.