Britney Spears ka bërë një rrëfim të sinqertë në rrjetet sociale, duke e cilësuar martesën me modelin dhe ish-trajnerin personal, Sam Asghari, si një “shpërqendrim të rremë”.
Sipas TMZ, këngëtarja e hitit “Circus” shkroi të dielën, më 24 gusht, se lidhja e saj me Asghari nuk ishte ashtu siç dukej, duke e quajtur atë një farsë, më shumë se një vit pas divorcit të tyre.
Çifti u martua në vitin 2022, pas një lidhjeje pesëvjeçare, por Spears u shpreh se marrëdhënia ishte më shumë një mënyrë për të përballuar tensionet e asaj kohe.
Është e çuditshme që unë dhe Sam ishim të martuar, por pothuajse ndihej si një shpërqendrim i rremë për të më ndihmuar të përballoja situatën…
-ka shkruar ajo.
Këngëtarja nënkuptoi se ky “shpërqendrim” lidhej kryesisht me marrëdhëniet e saj të vështira me djemtë Sean Preston, 19 vjeç, dhe Jayden James, 18 vjeç, të cilët i ka me ish-bashkëshortin Kevin Federline. Spears dhe Federline ishin të martuar nga viti 2004 deri në vitin 2007.
Përpara tij, ylli i muzikës pop kishte pasur një martesë të shkurtër në vitin 2004 me mikun e fëmijërisë së saj, Jason Alexander, e cila u anulua vetëm tre ditë më vonë.
Gjatë lidhjes me Spears, Asghari ishte në dijeni të raporteve të ftohta të saj me fëmijët dhe, së fundmi, ai hodhi një thumb publik ndaj Federline.