Në konferencën e përbashkët në Bruksel me Marie Bjerre, ministre daneze e Çështjeve Europiane dhe Marta Kos, Komisionere Europiane për Zgjerimin, kryeministri Edi Rama deklaroi se “Shqipëria e ka të qartë se nuk ka asnjë rrugë tjetër veç Bashkimit Europian”.
Po ecim me ritme rekord. E dimë që ka sfida dhe duhen shumë përpjekje, por e dimë që nuk ka rrugë tjetër. Eshtë hera e parë për ne në histori që e dimë se me kë duam të martohemi. Duam të martohemi me këtë perandori vlerash dhe sigurie, ku më në fund, qytetarët tanë të sigurohen që të drejtat e tyre do të respektohen.
Dua të them se na erdhi shumë mirë kur pamë barometrin dhe kuptuam që populli danez është mes mbështetësve më të mëdhenj të anëtarësimit tonë. Të jep mjaft siguri kur ke në krahun tënd vikingët. Presim me padurim të çelim grupkapitullin e fundit para mbylljes së këtij viti.
E di që është ambicioze, por është ajo që duam të bëjmë. Ashtu siç e theksoi edhe Marta Kos, kjo nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e një shpërblimi njëherë e përgjithmonë, por të realizojmë çdo ditë. E dimë që ka sfida, që duhen bërë shumë përpjekje, por e dimë që nuk ka asnjë rrugë tjetër, shtoi kryeministri.
Eurokomisionerja Marta Kos, vuri në dukje se shpejtësia e Shqipërisë në hapjen e grupkapitujve për integrimin europian është mbresëlënëse. Zyrtarja europiane theksoi se kjo ka ardhur si rezultat i punës së madhe të autoriteteve shqiptare ndër vite.
Ky rezultat është rrjedhojë e punës së madhe të autoriteteve shqiptare që kanë çuar përpara reformat, sidomos gjatë këtij viti, pavarësisht se ka pasur zgjedhje. Vendi juaj po tregon që mund të bëhet. Shqipëria po tregon që ndryshimi pozitiv është i mundur dhe BE-ja e shpërblen këtë ndryshim.
Komisionerja Kos bëri të ditur se ka mbetur vetëm një grupkapitull pa u hapur, por beson që kjo do të realizohet brenda këtij viti.