Një raund i ri i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në nivel kryenegociatorësh mbahet sot në Bruksel nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun, Peter Sorensen. Takimi zhvillohet pas vizitës së Sorensenit në Prishtinë dhe Beograd javën e kaluar e mësohet se i dërguari i bllokut ka bisedime të ndara me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi e të Serbisë, Petar Petkoviç.
Më pas, pritet një takim trepalësh mes tyre. Mësohet se në agjendë të raundit të ri është “Deklarata e përbashkët për personat e zhdukur”, e mundësuar më 2023-shin nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Palët ranë dakord mbi zbatimin e plotë të deklaratës, gjatë një takimi trepalësh mes kryenegociatorëve, në dhjetor 2024 në Bruksel.
Takimi i sotëm është i pari në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë për këtë vit.
Gjatë vizitës në Prishtinë më 14 janar, Sorensen foli lidhur me dialogun:
Kam shpresa se viti 2026 do të na japë atë që 2025-a nuk na e dha. Çfarë do të bëjmë ne është të sigurohemi që palët të ulen dhe të bisedojnë. Duhet ta gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë. Do të punoj për të gjetur një mënyrë që dy vendet fqinje të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë, në përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet.
Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë që nga viti 2023, pas rritjes së tensioneve mes tyre për shkak të një sulmi nga një grup serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe në shtator të atij viti.
Kurti e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me dorëzimin e të dyshuarit për sulmin në Banjskë të Zveçanit që la një rreshter të vrarë, Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës kur ndodhi sulmi dhe që mori përgjegjësinë për të.
Beogradi zyrtar nuk ka pranuar që t’ia dorëzojë Kosovës e thuhet se endet i lirë në Serbi. Edhe Beogradi ka kushtet e veta në dialog, siç e ritheksoi edhe Petkoviç pas takimit me Sorensenin, më 16 janar në Beograd.