Film & Tv

Bugonia – Një alien, një bodrum dhe një orgazmë kinematografike!

Rrallëherë ndodh që një skenë filmi të jetë aq shokuese, sa të mbajmë mend se ku ishim, ç’po hanim dhe çfarë kishim veshur teksa po e ndiqnim. Në rastin e filmit Bugonia, di që gjella ime me bizele u derdh kudo nëpër shtëpi pasi pashë 4 minutat e fundit. Rrallëherë flas me superlativa — jam e vetëdijshme se shpeshherë tingëlloj ekstremiste — ama nëse Bugonia nuk fiton të paktën 5+ çmime Oscar këtë vit, do të shndërrohem në një grua të frustruar që dërgon email-e ankese tek kushdo që është i hapur të më dëgjojë.

Me dëgjim të parë, Bugonia nuk tingëllon si një ftesë entuziaste për në kinema. Madje, përmbledhja me dy fjali rrezikon ta vrasë filmin para se të nisë. Por kjo është pikërisht arsyeja pse dua ta ndaj me ju, me shpresën se do I jepni një shans.

 

Jesse Plemons është një bletërritës që ia atribuon uljen e popullsisë së bletëve një kompanie farmaceutike të drejtuar nga një CEO narcisiste, e luajtur nga Emma Stone. Në përditshmërinë e tij, Jesse skanon pako dhe jeton një jetë monotone në një qytet të vogël amerikan, ku duket sikur asgjë e re nuk ndodh dhe jeta mund të ketë gjithçka… veç të papriturave. Emma drejton një kompani gjigande, ka një raport të ftohtë me punonjësit e saj dhe e kalon kohën e lirë duke bërë stërvitje me trajnerin personal e duke gëlltitur një grusht me vitamina (vetëm e vetëm për t’i dhënë botës përshtypjen e një lidereje emocionalish sterile për të cilën disiplina është motori i ekzistencës). Faktori “xixë” që i lidh të dy është mamaja e Jesse-t, e luajtur nga Alicia Silverstone, e cila pas përdorimit të një droge eksperimentale të kompanisë së Emmës, ka mbetur në koma.

Pas leximit të teorive konspirative në internet, Jesse duket sikur është futur në një tunel të errët në kokën e tij dhe është bindur plotësisht se Emma është një alien i ardhur në Tokë nga planeti Andromeda. Ai vendos të komunikojë me perandorin e këtij planeti dhe mendon se duke rrëmbyer CEO-n dhe torturuar atë në bodrumin e tij, ajo do e lidhë me kokat e planetit tjetër. Absurde si ideologji, por në cdo realizim të Lanthimos, duket sikur racionaliteti dhe absurditeti bashkëjetojnë lumturimisht.

 

Teksa lexoja kritika të tjera online për Bugonia-n, pashë që Poor Things dhe Kinds of Kindness vazhdonin të mbanin vendet e para si të preferuarat nga Lanthimos, duke e lënë Bugonia-n të fundit në radhë. Nëse Poor Things ishte një Mix-Combo, një e vjellë ngjyrash, nocionesh, lokacionesh dhe gjendjesh emocionale — nga ato që të mbistimulojnë deri në pikën që mbetesh konfuz pas përfundimit të filmit — Bugonia më bëri të kuptoj se Lanthimos është një dashnor perfekt. Nuk e di se si është regjizori në raportet e tij private, por si audiencë, Bugonia nisi ngadalë, në mes më mbajti buzë kolltukut nga ankthi, dhe në fund më dhuroi një orgazmë kinematografike.

Pas rrëmbimit të suksesshëm(i thëncin) të CEO-s së ftohtë, thuajse i gjithë filmi shndërrohet në një duel verbal, plot teori konspirative, shaka të errëta mes dy protagonistëve, si dhe kategorizime(pas një përleshjeje fizike Emma i thotë Jeese-t: “Prandaj unë jam fitimtare, dhe ti një dështak).

Kur Emma kupton se Jesse është realisht i patundur në bindjen e tij, ajo zgjedh strategjinë më të zgjuar: “të ndjekë lojën”.Emma mishëron në mënyrë brilante parimin universal “Hapi rrugë budallait”. Nga prerja e flokëve tek elektroshoku, Emma i nënshtrohet një kalvari torturash teksa qëndron e mbyllur në bodrumin e Jesse-t. E gjithë rrjedha e ngjarjeve është një gjenialitet i maskuar si një budallallëk me brirë, ku kryefjalë janë: Teoritë konspirative, pushteti i korporatave dhe nevoja njerëzore për të patur një armik kozmik që justifikon kaosin e brendshëm të secilit prej nesh.

 Nuk dua t’ju zbuloj shumë, sepse aspiroj që gjella juaj me bizele të derdhet gjithashtu.