Health & Beauty Lifestyle

Buzë të thata dhe të plasaritura pa pushim? Ja çfarë po ju tregon trupi juaj, sipas dermatologëve!

Nëse buzët tuaja janë vazhdimisht të thata dhe të çara, pavarësisht se çfarë balsami përdorni, arsyeja mund të jetë më serioze nga sa mendoni.

Sipas dermatologëve, ky problem nuk lidhet gjithmonë vetëm me motin apo mungesën e kujdesit, por shpesh është një sinjal i qartë nga trupi.

Në disa raste, buzët kronikisht të thata lidhen me tipin e lëkurës. Personat që kanë lëkurë të thatë janë më të prirur të përballen me këtë problem edhe në zonën e buzëve. Në këto raste, specialistët rekomandojnë përdorimin e produkteve të posaçme hidratuese për fytyrën dhe buzët, të pasura me vajra ushqyes dhe pa përbërës irritues.

Por një nga arsyet më të shpeshta dhe më të neglizhuara është dehidrimi.

Sipas Tsippora Shainhouse, dermatologe dhe këshilltare e certifikuar nga bordi në Universitetin e Kalifornisë Jugore, buzët e thata janë një nga shenjat e para që tregojnë se trupi juaj nuk po merr mjaftueshëm ujë.

Lëkura e buzëve është jashtëzakonisht e hollë dhe nuk përmban gjëndra djerse, ndaj humbja e ujit përmes buzëve është tre deri në dhjetë herë më e madhe sesa në pjesë të tjera të trupit

-shpjegon ajo.

Pikërisht për këtë arsye, disa gota ujë më shumë gjatë ditës mund të bëjnë diferencën dhe të rikthejnë butësinë natyrale të buzëve.

Një tjetër faktor i rëndësishëm është lagështia e mjedisit. Ajri i thatë, sidomos gjatë dimrit apo në ambiente me ngrohje dhe kondicioner, është një nga shkaktarët kryesorë të buzëve të plasaritura.

Edhe pse nuk mund të kontrolloni motin, mund të ndërmerrni hapa të thjeshtë për t’i mbrojtur buzët, si përdorimi i balsamëve mbrojtës dhe shmangia e lëpirjes së tyre, e cila vetëm sa e përkeqëson situatën.

Nëse buzët e thata vazhdojnë për një kohë të gjatë dhe shoqërohen me irritim apo dhimbje, dermatologët këshillojnë që të mos e neglizhoni problemin, pasi mund të jetë shenjë e një çrregullimi më të thellë të lëkurës ose e mungesës së elementëve të rëndësishëm për trupin.