Health & Beauty Lifestyle

Si ta rigjeneroni lëkurën dhe t’i riktheni shkëlqimin para pranverës?

Pas muajve të ftohtë të dimrit, lëkura shpesh duket më e thatë, e lodhur dhe pa shkëlqim. Temperaturat e ulëta, ajri i thatë, ngrohja në ambiente të mbyllura dhe mungesa e diellit ndikojnë drejtpërdrejt në pamjen e saj.

Për këtë arsye, ekspertët e bukurisë rekomandojnë një “beauty detox” në fund të dimrit, një rutinë e thjeshtë që ndihmon në pastrimin, rigjenerimin dhe ndriçimin e lëkurës përpara ardhjes së pranverës.

Eksfolimi, hapi i parë drejt një lëkure të freskët

Për të rikthyer shkëlqimin natyral të fytyrës, është e rëndësishme të largohen qelizat e vdekura. Eksfolimi stimulon procesin e rinovimit të lëkurës dhe e bën atë më të butë dhe më të njëtrajtshme.

Specialistët sugjerojnë përdorimin e peeling-eve të butë ose enzimatikë, të cilët pastrojnë thellë pa irrituar, veçanërisht për lëkurat e ndjeshme.

Pastrim i thellë, por gjithmonë i butë

Pas eksfolimit, lëkura ka nevojë për një pastrim të mirë, por jo agresiv. Produkte me përbërës si argjila, karboni aktiv apo çaji jeshil ndihmojnë në largimin e yndyrës së tepërt dhe papastërtive. Për lëkurat më të ndjeshme rekomandohen formula me kamomil ose tërshërë, të cilat ndihmojnë në qetësimin e irritimeve.

Hidratimi është thelbësor

Një lëkurë e pastruar ka nevojë për ushqim dhe hidratim. Serumet me Hyaluronic Acid, vajrat e lehtë si jojoba apo trëndafili dhe produktet me Vitamin C ndihmojnë në rikthimin e elasticitetit dhe shkëlqimit natyral të fytyrës. Këta përbërës ndihmojnë gjithashtu në balancimin e lëkurës pas stresit që ajo kalon gjatë dimrit.

Maskat detox, aleati i lëkurës në ndryshim sezoni

Një ose dy herë në javë, maskat për fytyrën mund të jenë një ndihmë e madhe. Maskat me argjilë pastrojnë thellë dhe largojnë toksinat, ndërsa maskat hidratuese me aloe vera ose Hyaluronic Acid e bëjnë lëkurën më të butë dhe më të shëndetshme.

Mos harroni mbrojtjen nga dielli

Me afrimin e pranverës, ekspozimi ndaj diellit rritet. Për këtë arsye, kremi me SPF duhet të bëhet pjesë e përditshme e rutinës, edhe kur nuk jeni në plazh. Mbrojtja nga rrezet UV ndihmon në parandalimin e plakjes së parakohshme dhe në shmangien e njollave në lëkurë.

Bukuria fillon edhe nga ushqimi

Beauty detox nuk lidhet vetëm me produktet e kujdesit për lëkurën. Një dietë e pasur me antioksidantë, fruta, perime dhe çajra bimorë ndihmon trupin të eliminojë toksinat dhe kontribuon që lëkura të duket më e shëndetshme dhe më e ndritshme.