Bota

Çështja e borxhit dhe rreziku i falimentimit në Amerikë, dakordësi që bisedimet të vazhdojnë!

Presidenti amerikan, Joe Biden dhe ligjvënësi kryesor republikan ranë dakord për të vazhduar bisedimet që synojnë arritjen e një marrëveshjeje për rritjen e tavanit për borxhin prej 31.4 trilion dollarësh. Zyrtarët kanë edhe tre javë afat për të arritur marrëveshje ose Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të hyjnë në procesin e paprecedent të falimentimit.

Për një orë e gjysmë, në Zyrën Ovale, demokrati Biden dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Kevin McCarthy diskutuan për një marrëveshje të mundshme para afatit të vënë më 1 qershor. Biden, McCarthy dhe tre liderë të tjerë të lartë të Kongresit Amerikan pritet të takohen sërish pas dy ditësh.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se bisedimet ishin produktive dhe duket se republikanëve u ofroi disa kompromise të mundshme, përfshirë fondet që nuk janë shfrytëzuar për ndihmë për pandeminë, me qëllim që të ulen shpenzimet qeveritare.

Por, Biden përsëriti se republikanët duhet ta marrin seriozisht kërcënimin që paraqet një mosarritje të marrëveshjes. Presidenti nuk e përjashtoi as mundësinë që të përdorë Amendamentin 14 të Kushtetutës Amerikane, një amendament që nuk është përdorur më parë e mund të cilësohet si veprim antikushtetues.

Secili në atë takim e kuptoi rrezikun e falimentimit. Bisedimet do të vazhdojnë.

McCarthy deklaroi se në takim pati mungesë të përparimit.

Nuk kam parë asnjë lëvizje të re. Biden nuk u pajtua që bisedimet të vazhdojnë deri në afatin e fundit.

Ekspertët kanë paralajmëruar se nëse nuk arrihet marrëveshje dhe shteti shkon në falimentim atëherë ekonomia amerikane do të hynte në një recesion të thellë që mund të destabilizojë sistemin global financiar. Nga ligjvënësit, Biden po kërkon të rrisin tavanin e huamarrjes pa asnjë kusht. McCarthy, partia e të cilit ka shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se ky institucion nuk do të miratojë asnjë marrëveshje që nuk shkurton në mënyrë dramatike shpenzimet për të adresuar rritjen e deficitit buxhetor.