Mësohet se javën e ardhshme, Irani do të zhvillojë bisedime me Francën, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, në lidhje me çështjet bërthamore e rajonale, siç konfirmoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei. Ky takim pritet të premten, më 29 nëntor por zyrtari nuk ka treguar se ku do të zhvillohen bisedimet. Më herët gjatë ditës së sotme, Agjencia Japoneze e lajmeve, Kyodo, raportoi se përfaqësuesit e katër vendeve do të takohen në Gjenevë të Zvicrës.
Ky njoftim është bërë disa ditë pasi Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Çështje Bërthamore, miratoi një rezolutë kundër Iranit. Sipas zyrtarit iranian, “Teherani ka besuar gjithmonë se çështjet bërthamore duhet të zgjidhen përmes diplomacisë” dhe se “Irani nuk i ka braktisur kurrë bisedimet”.
Po sipas raportimeve të medias japoneze, qeveria e presidentit iranian, Masoud Pezeshkian po synon të gjejë një zgjidhje për bllokadën bërthamore, para kthimit të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë nga janari 2025.
Më 2018-ën, administrata e atëhershme e Trump-it i pati larguar Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, që u arrit mes Republikës Islamike e fuqive botërore. Pas largimit nga akordi, Donald Trump pati rikthyer sanksione të ashpra kundër Teheranit duke e shtyrë këtë të fundit që të shkelte pikat e marrëveshjes, të riniste pasurimin e uraniumit e po ashtu të instalonte centrifuga të avancuara për të shpejtuar prodhimin e materialeve për armë bërthamore.
Bisedimet jodirekte mes administratës së presidentit amerikan, Joe Biden dhe Teheranit zyrtar, për të ringjallur marrëveshjen patën dështuar. Përgjatë fushatës zgjedhore, Trump ka thënë se “duhet arritur marrëveshje, sepse pasojat janë të paimagjinueshme”.
Irani pretendon se programi i tij bërthamor është paqësor. Rezoluta e 21 nëntorit e agjencisë së OKB-së, po ashtu i bën thirrje Iranit të bashkëpunojë me një hetim të nisur pas gjetjes së grimcave të uraniumit në dy vende e që autoritetet iraniane nuk i kishin deklaruar si bërthamore.
Gjatë vizitës së Grossi-t, Republika Islamike ra dakord me kërkesën e IAEA-s për të kufizuar sasinë e uraniumit të pasuruar deri në 60%. Për armë bërthamore, kërkohet uranium i pasuruar në nivelin 90%. Por ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, i cili ishte kryenegociatori i Teheranit për marrëveshjen e vitit 2015, paralajmëroi se vendi i tij nuk do të negociojë “nën presion”.