Bota Tech

Çfarë po dëmton satelitët Starlink të Elon Musk? NASA ngre alarmin!

Aktiviteti i shtuar i Diellit, që po arrin kulmin e ciklit të tij 11-vjeçar, ka filluar të ndikojë ndjeshëm në satelitët që rrotullohen rreth Tokës – dhe më të prekurit duket se janë satelitët Starlink të kompanisë SpaceX, në pronësi të Elon Musk.

Shpërthimet diellore të fuqishme kanë shkaktuar stuhi gjeomagnetike, të cilat jo vetëm kanë prodhuar spektakle të bukura si Aurora Borealis dhe Australis, por gjithashtu kanë ndikuar negativisht në infrastrukturën orbitale.

Sipas ekspertëve të NASA-s, këto stuhi diellore shkaktojnë ngrohjen dhe zgjerimin e shtresave të sipërme të atmosferës së Tokës, çka bën që rezistenca ndaj satelitëve në orbitë të ulet dhe ata të rihyjnë më shpejt në atmosferë, duke përfunduar jetën e tyre më herët se sa ishte parashikuar.

Zbuluam se kur kemi stuhi gjeomagnetike, satelitët rihyjnë në atmosferë më shpejt se sa pritej

deklaroi për “NewScientist” Danny Oliveira nga Qendra e NASA-s për Hapësirë dhe Gjeofizikë.

Sipas tij, jeta e satelitëve Starlink mund të shkurtohet deri në 10 ditë gjatë fazave të maksimumit diellor, një ndikim i konsiderueshëm në funksionimin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të rrjetit të komunikimit që SpaceX po ndërton në hapësirë.

Oliveira shton se është hera e parë në histori që përjetojmë rihyrje të përditshme të satelitëve në atmosferë, si pasojë e kushteve hapësinore gjithnjë e më ekstreme.

Megjithatë, ky zhvillim nuk është domosdoshmërisht negativ për SpaceX. Stuhitë diellore po shërbejnë edhe si një shtysë për të pastruar orbitën nga satelitët e vjetruar apo të dëmtuar, duke ulur rrezikun e përplasjeve dhe mbetjeve hapësinore.

Kjo sfidë e re tregon se, teksa teknologjia satelitore po përparon me ritme të shpejta, forcat natyrore si Dielli vazhdojnë të luajnë një rol të fuqishëm në fatin e tyre – duke imponuar adaptim dhe strategji të reja në industrinë hapësinore.