Hulumtimet në psikologjinë e zhvillimit tregojnë vazhdimisht se fëmijët e rritur nga prindër punëtorë dhe të angazhuar kanë prirje të zhvillojnë nivele më të larta të qëndrueshmërisë, disiplinës dhe rregullimit emocional. Vajzat, në veçanti, shpesh modelojnë sjelljet e përballimit, këmbënguljen dhe aftësitë e zgjidhjes së problemeve që vëzhgojnë te nënat e tyre që në moshë të hershme.

Studimet e lidhin etikën e punës së prindërve me vetë-efikasitet më të fortë, këmbëngulje akademike dhe tolerancë më të lartë ndaj stresit më vonë në jetë. Këto tipare shoqërohen me rezultate afatgjata, përfshirë stabilitetin në karrierë, aftësinë për udhëheqje dhe qëndrueshmërinë mendore në moshë madhore. Me fëmijët nuk do abuzuar e nuk u duhet dhënë më shumë përgjegjësi nga ç’duhet. Ama fëmijët duhen vënë edhe në punë. Duhet të nisë që herët angazhimi i tyre në punë të vogla, por përshtatur me moshën.
2-5 vjeç mund të sistemojë fare mirë. Në këtë fazë duhet të mësojë pasojën e rrëmujës dhe të vendosë vetë rregullin, të paktën në dhomën e tij dhe me lodrat e tij. Duhet të dijë që nëse do ta zbrazë kutinë e lodrave, atëherë pasi të mbarojë së luajturi duhet t’i rifutë në kuti. Pastaj mund të vazhdojë me sistemin e tavolinës kur mbaron së ngrëni apo të shtratit.
6-7 vjeç duhet të mësojë të ndihmojë dhe të jetë pjesë e grupit. Në këtë moshë, fëmijët janë në gjendje të ndihmojnë më shumë nëpër shtëpi. Kjo është një kohë e mirë për t`i mësuar rëndësinë e punës në ekip dhe për të ndihmuar të tjerët: fëmijët mund t’ju ndihmojnë në gatim, shtrimin e tryezës, bërjen e listës së ushqimeve dhe mbajtjen e qeseve të vogla nga dyqani. Kujdesi për një kafshë shtëpiake jo vetëm që i mëson të ndihmojnë por është edhe argëtim.