Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka falënderuar përmes një postimi në Facebook strategun amerikan Chris LaCivita për marrjen përsipër të drejtimit të fushatës së opozitës shqiptare, e kryesuar nga Partia Demokratike.
LEXO EDHE: Këshilltari i Trump, fushatë për Berishën/ LaCivita, autor i suksesit në 2024!
Mediu e cilësoi LaCivitan si një nga arkitektët kryesorë të fitores së Donald Trump dhe një strateg me mbi 30 vite eksperiencë në fushata elektorale të rëndësishme. Sipas tij, ky është një moment kyç për të forcuar marrëdhëniet mes opozitës dhe SHBA-së, si dhe për të rikthyer besimin në procesin zgjedhor në Shqipëri.
“Opozita ka mundësinë me këtë ekip fantastik të shkojë drejt fitores për të ndryshuar Shqipërinë, por kjo kërkon bashkim opozitar dhe angazhim maksimal,” shkroi Mediu.
Ai gjithashtu theksoi se opozita do të ketë mbështetjen e aleatëve në Kongresin Amerikan dhe Parlamentin Europian për të garantuar zgjedhje të ndershme. Sipas tij, shqiptarët meritojnë një qeveri që del nga vota e lirë dhe jo nga manipulimet e krimit dhe korrupsionit.