Aktualitet

Kërkoi përjashtimin e Irena Gjokës, GJKKO “rrëzon” sërish Fatmir Mediun!

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, sërish rrëzoi kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i dosjes “Gërdeci” e ku Mediu akuzohet për “Shpërdorim detyre”.

Përballë gjyqtares Gjoka dhe prokurorit Arben Kraja, avokati i tij, Henrik Ligori paraqiti argumentet kundër akuzës së ngritur nga prokuroria.

Ministria e Mbrojtjes është një strukturë me dy krerë, një pjesë politike dhe pjesa tjetër është Shtabi i Përgjithshëm. Njerëzit që kanë pasur përgjegjësi për Gërdecin kanë marrë përgjegjësi, deklaroi Ligori në sallën e gjyqit.

Ndërkaq, kundërshtoi edhe akuzat që lidhen me menaxhimin e municioneve.

Sa i takon akuzës për municionet, nuk ka asnjë akt ligjor që i ndan ato në kalibër të madh e kalibër të vogël. Ministri i Mbrojtjes përgjigjet për politikat e ministrisë dhe nuk mund të akuzohet se nuk i njeh kalibrat. Me këtë çështje merret Shtabi i Përgjithshëm, u shpreh avokati.

Sipas tij, përgjegjësitë teknike nuk mund t’i atribuohen një ministri politik.

Si mund që ministrit politik t’i ngarkohet përgjegjësi teknike? Sa i takon akuzës për transportin, nuk është detyra e ministrit, pasi ka struktura që merren me faturat. Duket që akuza e bërë nga prokuroria është e pambështetur, shtoi Ligori.

Nga ana tjetër, gjyqtarja Irena Gjoka lexoi para trupës gjykuese vendimin lidhur me kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e saj nga çështja.

Pasi u mor në shqyrtim, është vendosur papajtueshmëria mbi kërkesën e mbrojtjes. Mosrespektimi i afatit ka sjellë edhe papajtueshmëri të kërkesës së avokatëve, vuri në dukje Gjoka.

Procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit Mediu vijon në GJKKO, ndërsa ai akuzohet për “Shpërdorim detyre” në lidhje me tragjedinë e Gërdecit të 15 marsit 2008, kur humbën jetën 26 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë.