Dy të moshuar, burrë e grua, ranë në prangat e Policisë në Sarandë, pasi dyshohet se kanë plagosur me thikë në pjesën e dorës një të mitur. Të arrestuarit janë Lavdërim dhe Pranvera Brahimi. Po ashtu mësohet se shkak i sherrit kanë qenë pretendimet se 6-vjeçari shante fëmijët që ishin pjesë e familjes së tyre. Policia nisi hetimet edhe për një 39-vjeçar, djali i të arrestuarve në flagrancë.
Njoftimi i Policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë-Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit L. B., 79 vjeç, dhe P. B., 73 vjeçe, bashkëshortë, banues në Sarandë, pasi dyshohen se për motive të dobëta, kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë), në pjesën e dorës, një shtetas të mitur, si dhe nuk janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për shoqërim.
Në kuadër të këtij rasti është proceduar penalisht edhe shtetasi E.B., 39 vjeç, (djali i çiftit të bashkëshortëve), pasi dyshohet se ka kanosur gjithashtu të miturin me mjet prerës. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.