Kur një lidhje prishet, shumicën e kohës nuk është “nga një ditë në tjetrën”. Psikologët thonë se para ndarjes vijnë muaj, madje vite, me sinjale të vogla që shpesh anashkalohen në emër të rutinës ose shpresës se “do rregullohet vetë”. Pikërisht këto shenja të heshtura tregojnë se lidhja po lodhet emocionalisht.
Shenja e parë është humbja e kuriozitetit. Në fillim të një lidhjeje, pyetjet vijnë natyrshëm: “si ke kaluar?”, “çfarë ëndërron?”, “si je ndjerë sot?”.
Kur marrëdhënia lodhet, partnerët flasin më shumë për detyrat, fatura, punë, takime dhe më pak për ndjenjat, shpresat, frikërat. Bisedat bëhen teknike, jo emocionale.
Shenja e dytë është zhdukja e gjesteve të vogla. Mesazhet e ëmbla, një telefonatë pa arsye, një përqafim në mes të ditës, një shënim i vogël në frigorifer, janë “karburanti” i afërsisë emocionale.
Kur lodhja hyn në mes, këto gjeste ndalen pa u vënë re, sepse “jemi të zënë”, “jemi të lodhur” ose “tani jemi prej kohësh bashkë, s’ka nevojë”.
E treta, irritimi i tepruar. Gjërat e vogla që dikur duken të ëmbla, papritur fillojnë të nervozojnë. Një shaka, një zakon i vogël, mënyra si tjetri ha, flet, lë rrobat, gjithçka kthehet në arsye nervozizmi. Kjo tregon se poshtë sipërfaqes është grumbulluar mospajtim i pashprehur.
Shenja e katërt lidhet me shmangien e kohës së përbashkët. Partnerët fillojnë të kalojnë gjithnjë e më shumë kohë në telefon, rrjete sociale, punë, me miq, ose thjesht vetëm, dhe gjithnjë e më pak kohë duke bërë diçka bashkë.
Nuk planifikojnë aktivitete, nuk kanë më “rituale çifti”, si një film të premteve apo shëtitja e zakonshme.
Së fundi, shenja e pestë është mungesa e planet afatgjata. Nëse dikur flisnit për pushime, shtëpi, fëmijë, projekte të përbashkëta, por tani secili planifikon vetëm për veten, është sinjal se mendërisht dhe emocionalisht lidhja nuk shihet më si “ne”, por si “unë” dhe “ti”.
Ekspertët këshillojnë që këto shenja të mos injorohen. Një bisedë e sinqertë, pranim i problemeve pa fajësuar njëri-tjetrin dhe rikthimi i qëllimshëm i gjesteve të vogla mund të ringjallin lidhjen.
Në rastet kur distanca emocionale është e madhe, ndihma e një terapisti në çift mund të bëjë diferencën mes shpëtimit dhe përfundimit të marrëdhënies.