Shqipëria u rendit e pesta mes 41 vendeve të Europës për rritjen e madhe të çmimeve të qumështit, djathit e vezëve vitin e kaluar, sipas të dhënave të reja të Eurostat-it për ndryshimet vjetore të çmimeve në Europë. Në krye të listës qëndron Turqia, me këtë rritje prej 38.6%. Tre vitet e fundit, shteti turk po përjeton hiperinflacion që vjen i kombinuar nga problemet strukturore të ekonomisë dhe politikës monetare.
Pas Turqisë vijnë Malta me rritje 6.7%, Norvegjia me 5.9 dhe Islanda 4%. Shqipëria ndjek këtë renditje me një rritje prej 3.9%, duke e tejkaluar ndjeshëm mesataren e BE-së e të rajonit.
Islanda dhe Malta janë vende ishullore me kapacitete të ulëta prodhimi dhe kosto të larta të transportit, teksa Shqipëria nuk është e krahasueshme me këto vende.
Rritjet më të lehta të bulmetrave dhe vezëve u vunë në vende si në Portugali e Maqedoninë e Veriut të dyja me 1.8%, Serbi 1.5 dhe Mali i Zi me +1.1. Ndonëse presionet inflacioniste po zbuten në shumë ekonomi europiane, Shqipëria ende përballet me sfida që e bëjnë tregun e ushqimeve me rritjen nga më të lartat në Europë.
Ndërkohë, shumë vende të Bashkimit Europian kanë përjetuar ulje të çmimeve për këtë grup produktesh, veçanërisht Çekia me -6%, Hungaria -4.4, Finlanda -2.4 dhe Gjermania -1.7%.
Eurozona, në tërësi ka shënuar rënie mesatare vjetore prej -0.4 deri në -0.5% të çmimeve të bulmetit dhe vezëve më 2024-ën, duke reflektuar stabilizim ose lehtësim të presionit të çmimeve, pas rritjeve të ndjeshme në vitet e mëparshme nga pandemia e lufta në Ukrainë.
Rritja me 3.9% e çmimeve për produktet bazë në vendin tonë si qumështi, djathi dhe vezët është pasojë e kostove të larta të prodhimit dhe importit, mungesës së subvencioneve të qëndrueshme për bujqësinë.
Numri i kafshëve në ferma është përgjysmuar dekadën e fundit duke ulur ofertën në treg. Nga ana tjetër, ardhja e turistëve ka rritur kërkesën për bulmet dhe vezë në muaj të caktuar duke ndikuar më tej në rritjen e çmimeve.
Në një kohë kur vendet e BE-së po përfitojnë nga stabilizimi i tregjeve dhe reduktimi i çmimeve bazë, Shqipëria vijon të përjetojë rritje që ndikon drejtpërdrejt në kostot e jetesës, veçanërisht për shtresat në nevojë. Me një popullsi në plakje, me ulje të popullsisë në fshat, me mungesë të theksuar të subvencioneve për bujqësinë dhe me kontrolle jo efeciente në zinxhirin e furnizimit, vendi ynë rrezikon të vijojë trendin rritës të çmimeve edhe në të ardhmen./ Monitor