Tech

“Coinbase” pushon inxhinierë që refuzuan përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale?

Drejtori ekzekutiv i bursës së kriptovalutave “Coinbase”, Brian Armstrong, ka bërë të ditur se disa inxhinierë janë pushuar nga puna pasi refuzuan të përdorin mjetet e inteligjencës artificiale, pavarësisht se kompania u kishte ofruar licenca zyrtare për “GitHub Copilot” dhe “Cursor”.

Në një njoftim të brendshëm përmes Slack, Armstrong u kërkoi të gjithë punonjësve të identifikoheshin në këto mjete deri në fund të javës.

Nuk keni pse t’i përdorni çdo ditë derisa të ofrohen trajnime shtesë, por pres që të gjithë të identifikohen. Nëse nuk e bëni, kemi një takim të shtunën,

Gjatë takimit, disa punonjës justifikuan mungesën e tyre me pushime apo udhëtime pune, por ata që nuk kishin arsye të vlefshme u pushuan menjëherë.

Armstrong pranoi më vonë se qasja ishte “shumë vendimtare”, por theksoi se mesazhi duhej të ishte i qartë: në Coinbase, përdorimi i inteligjencës artificiale nuk është opsional.

Synimi i kompanisë është që deri në fund të tremujorit 50% e kodit të zhvillohet përmes AI-së, ndërkohë që aktualisht kjo shifër është rreth 33%.

Për të nxitur këtë proces, janë prezantuar edhe ngjarje të rregullta të quajtura “AI Speed Runs”, ku ekipet demonstrojnë përdorimin e suksesshëm të mjeteve të AI-së nën mbikëqyrje të ngushtë njerëzore – një aspekt i domosdoshëm në industrinë financiare.

Ky veprim ka ndarë mendimet në sektor: disa e kritikojnë Armstrong për qasje autoritare, ndërsa të tjerë e shohin si hap të pashmangshëm për të mbajtur Coinbase konkurruese në tregun global.